Last Updated on 01/10/2025 by adminfjala
Mbyllja e qeverisë federale në Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm një krizë politike, por edhe një ngjarje me pasoja të mëdha ekonomike. Kur Kongresi nuk arrin të miratojë një marrëveshje për financimin e qeverisë, pasojat ndihen menjëherë, veçanërisht nga punonjësit federalë dhe nga ekonomia në përgjithësi.
Sipas një letre zyrtare nga drejtori i Zyrës së Buxhetit të Kongresit (CBO), Phillip Swagel, gjatë një mbylljeje qeveritare, rreth 750 mijë punonjës federalë mund të vendosen çdo ditë në pushim të detyruar, duke shkaktuar një kosto ditore prej rreth 400 milionë dollarësh për buxhetin federal.
Letra thekson se numri i punonjësve të pezulluar mund të ndryshojë nga dita në ditë. Disa agjenci mund të detyrohen të shtojnë numrin e punonjësve të pezulluar nga puna, ndërsa të tjera mund të rikthejnë disa prej tyre, në varësi të zhvillimeve dhe nevojave emergjente.
Gjatë mbylljes, punonjësit që konsiderohen “thelbësorë“, si ata në fushën e sigurisë kombëtare, burgjeve apo shëndetësisë, janë të detyruar të vazhdojnë punën, por shpesh pa pagesë deri sa të zgjidhet situata. Ndërkohë, punonjësit jo-thelbësorë vendosen në pushim të detyruar pa pagesë, pa garanci të menjëhershme për kthim në punë apo kompensim të plotë.
Ndryshe nga pjesa tjetër e administratës, anëtarët e Kongresit vazhdojnë të paguhen, pasi paga e tyre është e garantuar me Kushtetutën Amerikane./kb
