Last Updated on 03/01/2026 by Klara
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë daljen e tij të parë për vitin 2026. Në komunikimin e tij Berisha dha një koment edhe për zhvillimet e ndodhura në Venezuelë, pas sulmeve të SHBA në Karakas dhe kapjen e Maduros. Duke e krahasuar me Maduron, Berisha u shpreh se kryeministri Rama nuk është aspak ndryshe nga presidenti i Venezuelës.
”Forcat ushtarake amerikane dhe qeveria e SHBA morën vendimin e tyre për rrëzimin, arrestimin e diktatorit të shëmtuar të Venezuelës, Maduros, dhe evakuimin e tij jashtë vendit për t’i bërë gjyqin e merituar. Largimi i Maduros nga pushteti, këtij diktatori të lidhur me drogën dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanti për popullin e Venezuelës që vuajti kaq vite nën regjimin e tij.
Por është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët përjetojnë regjimin e klonit të tij në Shqipëri, të cilat mediat amerikane dhe jo vetëm ato, e kanë quajtur Ramaduro. Këto zhvillime në Venezuelë janë një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare për të bërë detyrën e vet, largimin sa më shpejt nga pushteti të një personi, të një diktatori që qëndron mbi votën e grabitur, mbi lidhjet e tij me krimin dhe drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve”, u shpreh Berisha./K.M
