Last Updated on 30/09/2025 by adminfjala
Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula ka propozuar që Sali Berisha të jetë kandidati i opozitës për zgjedhjet e pjesshme lokale në Bashkinë e Tiranës, duke e konsideruar figurën më të përshtatshme për të mundur Ogerta Manastirliun dhe Partinë Socialiste.
Në një intervistë për A2, Sula u shpreh i bindur se Berisha ka potencialin për të fituar këto zgjedhje, bazuar në numrin e lartë të votave që ka marrë më parë, kandidaturën e fortë të socialistëve dhe rolin e tij si figura përbashkuese e së djathtës.
“Sali Berisha mund të ishte dhe duhet të jetë, nëse ka ndërmend të përballet me PS e Edi Ramën dhe për t’i treguar dhe ngjallur shpresë demokratëve, mund të jetë kandidati ideal për të mundur Manastirliun dhe PS në Bashkinë e Tiranës. Vetë zoti Berisha, dhe jam i bindur për këtë, është kandidati që fiton zgjedhjet e Tiranës dhe fillon një histori të ngjalljes së shpresës për zgjedhjet e 2027 e 2029”, tha Sula.
Ai shtoi se nëse Berisha futet në garë, historia mund të përsëritet si në të kaluarën, kur kandidati i tij fitoi bashkinë dhe më pas u bë kryeministër, duke treguar se rruga drejt fitores është e hapur. Sula theksoi se Bashkia e Tiranës ka një buxhet të konsiderueshëm dhe kandidatura e Berishës do të ishte mënyra më e sigurt për të mundur Manastirliun.
“Berisha është një figurë tradicionale e së djathtës që jo vetëm fiton, por edhe ngjall shpresë për të gjithë demokratët. Të gjithë duhet të punojmë që të fitojë Berisha dhe të rikthehet shpresa,” u shpreh Sula.
I pyetur për pozicionin e Agron Shehaj, i cili ka kërkuar një kandidat jopolitik për kryeqytetin, Sula u shpreh se shumica e demokratëve, përfshirë edhe veten e tij, do ta mbështesin Berishën. Ai shtoi se kjo do të ishte mënyra për të rikthyer dinamizmin dhe optimizmin në Partinë Demokratike, duke shmangur humbjen e sigurt që sipas tij do të ndodhte me kandidatë të tjerë.
“Sipas situatës brenda opozitës, Berisha është i vetmi person real që mund të triumfojë. Ai do të rrëzojë Ramën dhe mazhorancën, duke treguar se është në luftë për të mundur PS dhe për të ngjallur shpresë,” tha Sula, duke shtuar se kandidatët e tjerë si Tabaku dhe Alimehmeti nuk janë të gatshëm për këtë sfidë.
Sula përfundoi duke theksuar se përballë Berishës nuk do të jetë Rama, siç ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme, por Ogerta Manastirliu, dhe sipas tij, Berisha është figura më e fortë dhe më e sigurt që mund ta mundë atë./E.S
