Last Updated on 30/09/2025 by adminfjala
nga Mentor Kikia
Prej tri ditësh, ky djalë është bërë personazh publik. Në media, rrjet dhe portale lajmesh flitet për “Të riun e dhunshëm që prishi mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës”, për “Heroin që i hyri këshillit në sallë” për ”Guximtarin që kërkoi llogari” etj etj.
Por çfarë bëri ky djalë?
I kishin prishur shtëpinë për llogari të një vepre publike dhe nuk ia rimbursonin. Kishte 5 vjet që endej zyrave dhe derisa i ra derës me shkelm.
Bukur fare!
Ai hyri aty ku dera duhet të jetë hapur. Hyri aty ku mblidhen këshilltarët që ka votuar populli i qytetit, të cilët marrin vendime për qytetin dhe qytetarët.
Mbledhjet e këshillit dhe të parlamentit, duhet të jenë të hapura. Ne si popull nuk e njohim llogaridhënien.
Gjatë fushatës së fundit për zgjedhjet vendore, popullin e shikonim vetë duke hedhur valle dhe jo duke i kërkuar llogari atyre që kishin votuar 4 vjet më parë se çfarë kishin bërë e çfarë nuk kishin bërë.
Ne jemi mësuar të na ganjejnë, mashtrojnë, tallin, shkelin, shfrytëzojnë e në fund kënaqemi kur na hedhin dorën në sup për gënjeshtrën e radhës.
Ne jemi mësuar të na premtojnë urë edhe aty ku nuk ka lumë.
Na premtojnë 10 herë të njëjtën gjë e dhjetë herë ia japim votën të njëtit gënjeshtar.
Dhe sot, kur del një njeri që i ka sosur durimi, e hyn në sallë e bërtet: “Ju jeni të gjithë gënjeshtarë”- në befas vrapojmë të entuziazmuar se kemi zbuluar heroin.
Njerëz!
Nuk është heroizëm të kërkosh llogari atij që i kë dhënë votën. Eshtë detyrë!
Po bjeri derës, edhe me shkelm për të hyrë brenda. Ajo është dera e popullit. Po nuk ta hapën, edhe shkatërroje. Ata nuk janë të privilegjuarit e shoqërisë. Janë ata që ne votojmë të na qeverisin. Ne i paguajmë dhe ne duhet t’u kërkojmë llogari. Ndaj, ngrije edhe zërin edhe grushtin kur ta mbyllin derën e nuk të japin përgjigje. Kjo është demokracia! m.p.
