Përplasjet mes drejtuesve politikë në Partinë Demokratike vijojnë prej disa ditësh, ndërsa kanë kulmuar ditën e djeshme me reagimin e fortë të Ervin Salianit në rrjetet sociale ndaj sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka.
E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Salinajit, i cili prej disa ditësh kishte heshtur për këtë çështje. Ditën e djeshme, në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ai ka shpërthyer ndaj Flamur Nokës, duke e quajtur “aksident politik” dhe duke e akuzuar për lidhje të shumta me krimin. Salianji përmend disa eksponentë kriminalë dhe mohon nga ana tjetër çdo lidhje të tijën me Suel Çelën apo Ergys Agasin, për të cilët Flamur Noka ka pretenduar se Salianji është takuar me ta dhe ka organizuar foltore apo takime në Durrës.
“Flamur Noka është aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH dhe arsyeja ulëritëse se pse kjo parti ka nevojë urgjente për reformim! Ai nuk është thjesht një gabim politik, as vetëm idiot apo i përdorur si gojëprishur për të zhvendosur vëmendjen! Ka njerëz që mbajnë flamurin për ideal. Ka edhe nga ata që e përdorin Flamurin pa ideal për të goditur kë t’u dalë përpara. Ai është produkt i qëllimshëm i politikës së pistë: pazare, shërbime, nënshtrim dhe tregti interesi. Një figurë që ka shitur gjithçka që ka pasur mundësi: parime, njerëz, zona, zgjedhje, mjafton të ketë pak pushtet dhe përfitim personal”, tha Salianji.
Sipas ish-deputetit, Flamur Noka është personi që duhet të largohet nga Partia Demokratike dhe se reformimi i partisë duhet të nisë pikërisht prej tij. Saliani gjithashtu aludon se Flamur Noka është “non grata”, duke shkruar se ai nuk e kalon dot oqeanin.
