Preç Zogaj ka rikujtuar episodet dramatike të dhjetorit 1990, duke sjellë në vëmendje një moment konfliktual mes studentëve dhe Sali Berishës gjatë mbledhjeve vendimtare të asaj periudhe. Ai tregoi se Berisha po nxirrej jashtë sallës sepse mbështeste kërkesën e Ramiz Alisë që studentët të ktheheshin në mësim si kusht për dialogun. Zogaj ndërhyri për të ndaluar largimin e tij, duke theksuar se askush nuk duhej përjashtuar për një mendim ndryshe.
“Më kishin thirrur Shinasiu dhe Azemi. Kur pashë që po e nxirrnin jashtë, ndërhyra sepse më duk ë veprim i padrejtë. Duhet të mbrojmë parimin: mendimi ndryshe nuk përjashtohet. Ishte 10 dhjetori, mbledhje vendimtare për kushtet e dialogut. U diskutua nëse do të pranohej kthimi në mësim. Disa mendonin se pa protestë studentët humbnin forcën, ndërsa Berisha këmbëngulte se thelbësor ishte pluralizmi,” rrëfeu Zogaj, duke shtuar se në disa momente ka qenë në pozita kyçe për karrierën e Berishës dhe e ka ndihmuar.
Ai foli edhe për krijimin e Partisë Demokratike, e cila sipas tij, shumë shpejt humbi lidhjen organike me studentët dhe intelektualët që e lindën. Zogaj theksoi se sapo filloi të funksionojë si parti politike, nisi lufta e brendshme e përplasjes dhe pamundësia për të menaxhuar diversitetin.
“PD u formua si një parti studentore, intelektuale dhe popullore. Por shumë shpejt u ndërpre simbioza me studentët. Më pas u ndërpre edhe lidhja me intelektualët. Në fillim statusi i partisë ishte i përparuar për kohën me kufizime mandatësh dhe ide moderne të konceptuara nga figura si Leka Meksi. Por, me largimin e studentëve dhe më pas të intelektualëve, partia devijoi drejt një qasjeje populiste,” u shpreh Zogaj./mxh
