Sam Asghari ka komentuar për herë të parë vendimin e ish-bashkëshortes së tij, Britney Spears, për t’iu nënshtruar një programi rehabilitimi, duke e cilësuar atë si një zgjedhje pozitive për jetën e saj.
Në një prononcim për TMZ më 23 prill, modeli 32-vjeçar theksoi se çdo hap që ndihmon në shërim dhe përmirësim personal është për t’u mbështetur. Sipas tij, më e rëndësishmja është që ky vendim të vijë nga vetë dëshira e individit.
“Është diçka e mirë, për sa kohë që vjen nga vullneti i saj,” u shpreh ai.
Asghari bëri të ditur gjithashtu se nuk ka pasur komunikim me Spears që nga momenti kur ajo është futur në qendrën e trajtimit.
Këngëtarja amerikane vendosi të kërkojë ndihmë profesionale pas një incidenti në fillim të marsit, kur u arrestua nën dyshimet për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera. Ajo u lirua një ditë më pas.
Në një reagim të mëhershëm për Fox News, Asghari kishte treguar mirëkuptim për situatën, duke theksuar se gabimet janë pjesë e jetës dhe duke kërkuar që publiku dhe media të respektojnë hapësirën personale të Spears.
Vendimi për rehabilitim u konfirmua më 12 prill nga përfaqësues të këngëtares, të cilët e përshkruan si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit. Ata theksuan se ajo do të ndjekë një plan të strukturuar për të rikthyer stabilitetin në jetën e saj.
Burime pranë artistes bëjnë me dije se familja dhe njerëzit e saj të afërt janë të angazhuar për ta mbështetur gjatë kësaj periudhe.
Britney Spears dhe Sam Asghari kanë qenë në një lidhje që nga viti 2016, ndërsa u martuan në vitin 2022. Çifti u nda në vitin 2023 dhe divorci i tyre u përmbyll në maj 2024, pa konflikte ligjore./MXH
