Tre vite pas ndarjes nga Britney Spears, Sam Asghari ka zgjedhur të flasë publikisht për ish-bashkëshorten e tij, duke e vlerësuar për kontributin dhe gjurmën që ka lënë në muzikën botërore.
Gjatë një interviste për “Page Six Radio”, Asghari, 32 vjeç, foli me admirim për Spears dhe e vendosi atë mes figurave më të rëndësishme të historisë së muzikës pop, duke e cilësuar si “Princesha e Pop-it”.
Ai tregoi se, kur e takoi këngëtaren në vitin 2016, nuk e njihte në thellësi karrierën dhe ndikimin e saj. Vetëm pasi kuptoi domethënien që kishin këngët e saj për miliona fansa, nisi ta shihte ndryshe figurën e Spears.
Sipas tij, Britney i përket të njëjtit nivel ikonash si Michael Jackson dhe Madonna, duke përfaqësuar një brez artistësh që kanë ndryshuar përgjithmonë muzikën pop.
Asghari theksoi gjithashtu se Spears ka arritur të ruajë rëndësinë e saj për dekada, duke u përshtatur me ndryshimet e industrisë pa humbur identitetin artistik.
“Britney krijoi një lloj modeli që askush pas saj nuk ka arritur ta përsërisë vërtet”, u shpreh ai, duke shtuar se shumë artistë të rinj mund të përpiqen të ndjekin të njëjtën rrugë, por suksesi i saj mbetet i vështirë për t’u përsëritur.
Historia e tyre nisi në vitin 2016, kur u njohën gjatë xhirimeve të videoklipit “Slumber Party”. Marrëdhënia u bë publike një vit më vonë, ndërsa në shtator 2021 çifti njoftoi fejesën.
Në qershor 2022, Spears dhe Asghari u martuan në Los Angeles, në një ceremoni ku morën pjesë disa prej emrave më të njohur të Hollywood-it, mes tyre Madonna, Paris Hilton, Drew Barrymore dhe Selena Gomez.
Martesa zgjati rreth 14 muaj. Në gusht 2023, Asghari paraqiti kërkesën për divorc, duke iu referuar “dallimeve të pakapërcyeshme”.
Megjithatë, pavarësisht fundit të marrëdhënies së tyre, ai duket se vazhdon ta respektojë Britney-n si artiste dhe të mbështesë lirinë e saj krijuese.
“Kur je një nga ata njerëz që quhesh ‘Princesha e Pop-it’, mund të thuash çdo gjë dhe ajo do të bëhet ikonike”, deklaroi Asghari./mxh
