Politika ka rregullat e saj. Moda, po ashtu. Por stili nis aty ku rregullat pushojnë së qeni detyrim dhe marrin formën e njeriut që i vesh. Monika Kryemadhi, Ori Nebijaj dhe Floriana Garo e tregojnë secila në mënyrën e vet. Tri gra të njohura të jetës publike, me tri mënyra të ndryshme për t’u paraqitur, por me një zgjedhje të përbashkët këtë verë: Di Fratelli. Dhe prej aty, secila i jep këpucës historinë e vet.

Monika Kryemadhi: Eleganca nuk matet me lartësinë e takes.
Marrëdhënia e Monikës me modën nuk ka nisur dje. Ajo ka ditur gjithmonë të luajë me ngjyrat, format dhe kombinimet, duke i lënë shpesh këpucës një rol më të madh se ai i një aksesori të fundit. Këtë verë zgjedh një palë të bardha Di Fratelli, me takë të ulët dhe linja të pastra. I njëjti model shoqëron dy veshje krejt të ndryshme dhe u jep të dyjave një tjetër frymë. Me fustanin e bardhë, pamja është e pastër dhe elegante. Me fustanin në ngjyrë çokollate me pika, gjithçka bëhet më verore, më e lirshme, me atë hijeshi mesdhetare që të sjell menjëherë ndër mend një mbrëmje buzë detit. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron bukuria e zgjedhjes: eleganca nuk ka gjithmonë nevojë për centimetra. Ndonjëherë mjafton një këpucë që di ta mbajë gjithë pamjen në vendin e vet.

Ori Nebijaj: Bordoja si kryefjalë!
Te Ori, një fustan i zi me dantellë krijon bazën, ndërsa stiletot bordo Di Fratelli sjellin atë pikë ngjyre që i ndryshon menjëherë tonin gjithë veshjes. Bordoja ka forcën e së kuqes, por vjen më e thellë dhe më e përmbajtur. Përballë të zezës, bie në sy pa pasur nevojë të kërkojë vëmendje. Maja e mprehtë, lëkura e lustruar dhe taka e hollë i japin pamjes elegancën dhe karakterin e duhur. E mësuar prej vitesh me kamerën dhe vëmendjen publike, Ori e di mirë se nuk duhet të flasë çdo detaj njëherësh. Këtë herë, fjalën ua lë këpucëve.

Floriana Garo: Verën e vesh me ar!
Floriana zgjedh dritën. Sandalet metalike në ngjyrë ari nga Di Fratelli kombinohen me një fustan të lehtë me lule dhe krijojnë një pamje që e ka verën brenda saj, pa pasur nevojë ta shpallë. Ari kap dritën, rripat e hollë i japin këmbës finesë, ndërsa taka e mban siluetën elegante pa e rënduar. Është një kombinim që i shkon Florianës, të cilën publiku e ka njohur fillimisht nga ekrani dhe moda, shumë përpara hyrjes së saj në politikë. Këtu, megjithatë, rolet mbeten mënjanë. Mbeten vetëm një fustan vere, një palë sandale të arta dhe një pamje që funksionon pa u munduar shumë.
Fundja, stili është liria për të qenë vetvetja, pa pasur nevojë të ngjash me askënd tjetër. Pjesën tjetër e firmos Di Fratelli./mxh
