Last Updated on 02/03/2026 by EL
Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Sara Mila, u shpreh në Kuvend lidhur me situatën e krijuar nga rrëshqitja e dheut në aksin Librazhd – Përrenjas, duke e cilësuar reagimin e opozitës si të politizuar dhe të pabazuar në fakte.
“Këta kolegët e opozitës nuk i sheh kurrë në Elbasan kur hapen investime, kur nisin projekte, kur firmosen kontrata që ndryshojnë perspektivën ekonomike të qarkut apo edhe kur qytetarët kanë dhe thjesht nevojë për një “gëzuar” në raste festash. Por sapo ndodh një rrëshqitje dheu në një segment të vjetër rruge, papritur ata shfaqen e janë zëvendësit për shtyp minut pas minute të “skandalit të madh”, tha Mila.
Në fjalën e saj, deputetja socialiste theksoi se rrëshqitja ka prekur segmentin e vjetër të rrugës ndërsa shtoi se debati i vërtetë lidhet me rëndësinë strategjike të Korridori VIII për vendin tonë.
“Ka vetëm një fenomen natyror që po trajtohet me masa konkret edhe me ndërhyrje të specializuar. Ku edhe mund të jeni informuar se pas një pune intensive të autoriteteve ditë edhe natë, rruga do të jetë e kalueshme nesër në mesditë. Thelbi dhe ajo që vërtet i merakos keta është Korridori VIII. Është një arterie strategjike që lidh Adriatikun me Detin e Zi. Është linja që e vendos Shqipërinë – dhe veçanërisht Elbasanin – në hartën reale të tranzitit rajonal. Është çmenduri që Korridori VIII të lakohet në tituj portalesh e zhurmë të kotë. Prandaj nuk mund të lejojmë që një fenomen natyror të përdoret për të minuar një projekt strategjik”, u shpreh deputetja socialiste.
Sipas saj, Elbasani meriton zhvillim të qëndrueshëm dhe investime afatgjata, si edhe një politikë që ndërton, e jo që politizon situatat e krijuara nga faktorë natyrorë”.
“Ka një pjesë të opozitës që çdo projekt strategjik e sheh si kërcënim elektoral, jo si mundësi kombëtare. Çdo kantier për ta është “aferë”. Çdo investim është “skandal”. Sepse zhvillimi i qëndrueshëm nuk i shërben narrativës së krizës inekzistente”, theksoi Mila nga foltorja e Kuvendit.
