Në kuadër të 21 Marsit, Ditës Botërore të Sindromës Down, Qendra Jonathan, një organizatë jofitimprurëse që mbështet individët me nevoja të veçanta, veçanërisht ata me Sindromën Down dhe familjet e tyre, po organizon këtë vit një aktivitet me një mesazh të fuqishëm njerëzor.
Nën moton “Së Bashku Kundër Vetmisë”, familje nga qytete të ndryshme të Shqipërisë po hapin dyert e tyre për komunitetin.
Qëllimi është reduktimi i vetmisë, krijimi i lidhjeve më të forta njerëzore dhe promovimi i solidaritetit në shoqëri.
Nisma sjell histori reale dhe përforcon ndërgjegjësimin për rëndësinë e përfshirjes sociale, duke dërguar një mesazh të qartë kundër izolimit.
Eventi kryesor në Tiranë do të zhvillohet pranë Qendrës Jonathan më 21 Mars, nga ora 12:00 deri në 14:00.
Në aktivitet do të marrin pjesë familje, komuniteti, biznese dhe partnerë të ndryshëm, të cilët do të bashkohen për të përçuar mesazhin e solidaritetit dhe bashkëpunimit.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët të bashkohen në këtë aktivitet dhe të ndihmojnë në përhapjen e një mesazhi human dhe të fuqishëm për komunitetin dhe shoqërinë shqiptare./Kb
