Të rinjtë e sotëm nuk kanë më vokacionin shpirtëror të lirisë dhe të dinjitetit, dhe kjo përbën një problem të madh për shoqërinë. Sipas gazetarit Neritan Sejamini, rebelimi i tyre mbetet sipërfaqësor, ndërsa mungon gatishmëria për t’u përballur me padrejtësitë dhe për t’u ngritur në protesta.
“Fëmijët dhe të rinjtë e sotëm nuk e kanë shpirtërisht ndjenjën e lirisë dhe të dinjitetit. Mund të duken rebelë, por kjo nuk vjen nga bindja e brendshme. Nuk luftojnë për lirinë, sepse nuk e dinë çfarë është liria përtej asaj materiale, dhe nuk e ushtrojnë këtë të drejtë. Ky është problemi,” u shpreh ai.
Sejamini thekson se edukimi, veçanërisht në arsim, është dështimi më i madh i shoqërisë në këto 35 vite tranzicion.
“S’kemi arritur të ndërtojmë një sistem arsimor që edukon breza të tërë me vlera demokratike dhe me konceptin e lirisë. Edukimi i vërtetë kërkon gjenerata, kërkon investim shpirtëror dhe mendor, si në arsimin formal, ashtu edhe përmes mekanizmave të tjerë të shoqërisë,” tha ai.
Sipas tij, shoqëria shqiptare ka funksionuar historikisht mbi një standard autokratik, duke trashëguar modele patriarkale, klanore dhe nënshtruese ndaj pushtetit. Ky trashëgim shpjegon edhe mungesën e pjesëmarrjes qytetare dhe prirjen për të pritur gjithçka nga shteti.
“Historia jonë ka prodhuar një model autokratik të të menduarit dhe të organizimit politik e shoqëror. Pyetja që duhet të shtrojmë sot është: A do të largohemi më në fund nga modeli patriarkal, klanor, autokratik? Sepse nuk mund të vazhdojmë me mentalitetin që e braktisim Shqipërinë për të gjetur demokracinë gjetkë, ndërsa këtu nuk angazhohemi, nuk kontribuojmë dhe nuk reagojmë. Për çdo gjë presim vetëm Rama dhe Berisha të jenë fajtorë, dhe mendojmë se kjo na bën intelektualë. Ndërkohë duhej të diskutonim për përgjegjësinë që mbartim të gjithë ne si shoqëri.”/mxh
