Last Updated on 05/03/2026 by Anisa
Sekretariati i Etikës në Kuvend ka marrë një vendim disiplinor ndaj deputetit dhe njëherazi kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare të zhvilluar të hënën.
Sipas vendimit të marrë, Shehaj është përjashtuar nga punimet e Kuvendit për një periudhë prej 20 ditësh. Vendimi erdhi pas një kërkese të paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Ngjarja që çoi në këtë masë disiplinore ndodhi gjatë seancës plenare të së hënës, kur deputeti Shehaj bllokoi foltoren e Kuvendit. Pavarësisht tërheqjes së vëmendjes nga drejtuesit e seancës, ai nuk e liroi foltoren, duke penguar vijimin normal të punimeve parlamentare.
Për këtë arsye, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e tij nga aktivitetet parlamentare për 20 ditë, në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
Ky vendim vjen në një periudhë tensionesh politike në Kuvend, ku debatet mes mazhorancës dhe opozitës kanë qenë të shpeshta gjatë seancave të fundit parlamentare./A.D
