Pas një eksperimentimi 35-vjeçar në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë, është provuar tashmë se liria ekonomike funksionon. Por, në kontekstin e ri gjeopolitik, roli i shtetit merr një dimension të ri. Tregjet e vetmuara nuk mund të realizojnë në mënyrë automatike transformimin strukturor, duke kërkuar kështu një rol më proaktiv të shtetit, veçanërisht në tranzicionin digjital dhe të gjelbër
*Selami Xhepa
Duke vështruar në retrospektivë, reformat ekonomike që udhëhoqën tranzicionin drejt ekonomisë së tregut—të përmbledhura në atë që njihet si “Washington Consensus”—kanë lënë një gjurmë të qartë zhvillimi në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në pothuajse të gjithë treguesit që matin progresin shoqëror, vendi ynë ka bërë transformime epokale. Në çdo 6-7 vite, ekonomia kombëtare dhe ajo familjare është dyfishuar; në indeksin e zhvillimit njerëzor (një tregues kompozitë që mat zhvillimin e individit jo vetëm në aspektin material por dhe aksesin në shërbime publike), vendi ynë qëndron me disa pikë mbi mesataren botërore; jetëgjatësia mesatare ka arritur në 79.2 vite. Gjithkush që vështron tek ekonomia e tij familjare, në shumicën e tyre ndryshimet ishin të paimagjinueshme të ndodhnin brenda një gjenerate.
Ekonomistët gjithnjë debatojnë se cilët kanë qenë faktorët pas këtyre ndryshimeve dhe se sa ato mund t’u atribuohen politikave liberale, apo nëse suksesi është rezultat thjesht i kursimeve dhe investimeve. Shumë studime empirike bazuar në indikatorët e lirisë ekonomike të Institutit “Fraser” dhe “Heritage Foundation”, kanë dëshmuar statistikisht rëndësinë e lirisë ekonomike si në rritjen e prodhimit të përgjithshëm, ashtu dhe të prodhimit të përgjithshëm për frymë. Kjo do të thotë se liria ekonomike ka funksionuar jo vetëm për biznesin dhe ekonominë kombëtare, në tërësi, por dhe për individin dhe ekonominë familjare. Në veçanti, disa nga komponentët e lirisë ekonomike si stabilizimi makroekonomik (kontrolli i inflacionit, deficitit fiskal, stabilizimi i kursit të këmbimit), hapja ekonomike, tregu i punës, liria fiskale, derregullimi, etj., kanë pasur një ndikim shumë pozitiv. Shpërndarja e burimeve në ekonomi bazuar tek forcat e tregut kontribuuan në përmirësimin e eficiencës së përdorimit të faktorëve të prodhimit, punës dhe kapitalit, duke përvijuar ndryshime të rëndësishme strukturore.
Shterimi i modelit aktual ekonomik dhe nevoja për transformim strukturor
Përtej këtyre ndryshimeve të mëdha pozitive të pamohueshme të këtyre tri dekadave, duket se procesi i modernizimit ekonomik ka stopuar. Edhe pse jemi më afër anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, struktura ekonomike e vendit është problematike, dhe presionet e shtuara konkurrenciale mund të kenë ndikime të forta negative mbi sipërmarrjet vendase nëse ato nuk do të përshtaten në kohë. Modeli ekonomik që u krijua nga forcat e tregut të lirë duke e specializuar vendin në industritë që përdorin faktorët që disponojmë me bollëk (e njohur si Stolper-Samuelson Theorem), është shteruar.
Struktura ekonomike është gozhduar në prodhime dhe shërbime me vlerë të shtuar të ulët, gjë që pamundëson rritjen permanente të të ardhurave të punonjësve, më shumë të ardhura për buxhetin dhe rritje ekonomike të lartë dhe të qëndrueshme. Edhe fakti që rritja ekonomike potenciale e vendit (një koncept që nënvizon rritjen maksimale ekonomike duke përdorur të gjithë burimet e disponueshme, pa krijuar presione shtesë inflacioniste, dhe që bankat qendrore e përdorin për qëllime të politikës monetare) ka rënë në 4%, dëshmojnë për shterimin e mundësive të modelit ekonomik aktual në dinamizmin e ekonomisë. Nevoja për të zgjeruar potencialin e rritjes ekonomike dhe për të krijuar një ekonomi më elastike dhe të aftë të përballojë goditje të jashtme, edhe në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, është bërë një nevojë prioritare.
Zgjerimi i lirive ekonomike dhe roli i shtetit
Zgjerimi i lirive ekonomike është rruga e papërfunduar që mund të kontribuojë në këtë prioritet të shoqërisë. Ajo duhet të fokusohet atje ku progresi ka mbetur vendnumëro. Ndërtimi i tregjeve eficiente dhe funksionale, kanë nevojë për një shtet eficient, funksional dhe aktiv në shoqëri dhe ekonomi, fusha në të cilat progresi ka qenë i pamjaftueshëm. Në treguesit e lirisë ekonomike, problematike vazhdojnë të mbeten treguesit që lidhen me qeverisjen, si garantimi i të drejtave të pronës, kontrolli i korrupsionit, funksionimi i drejtë dhe eficient i sistemit gjyqësor dhe zbatimit të kontratave, krijimi i një mjedisi për një konkurrencë të ndershme, etj.
Reforma e sistemit të drejtësisë deri tani është fokusuar kryesisht te korrupsioni në nivelet e larta të politikës, por nuk duket se ka prodhuar rezultate të dukshme në rrënjën e perceptimit të korrupsionit, edhe pse strukturat e reja të drejtësisë gëzojnë një mbështetje të gjerë publike. Perceptimi se korrupsioni vijon të mbetet i përhapur ka mbetur në renditje të lartë mes shqetësimeve të biznesit, sikurse kostot dhe koha e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve vazhdojnë të konsiderohen si pengesa për klimën e biznesit në vend. Shqetësuese është gjithashtu adoptimi i teknologjive të reja dhe inovacioni.
Renditja e Shqipërisë përgjatë këtij dimensioni të konkurrueshmërisë mbetet në nivele të ulëta qoftë për shkak të mungesës së politikave aktive publike, ashtu dhe të investimeve modeste nga sektori privat. Rritja e eficiencës së shtetit dhe roli i tij aktiv në modernizimin e strukturës ekonomike, janë të domosdoshme për përmirësimin e lirisë ekonomike, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe zhvendosjen e trajektores së rritjes ekonomike potenciale në një kurbë më të lartë nga niveli aktual prej 4%.
Transformimi strukturor përmes inovacionit dhe transferimit teknologjik
Historia e zhvillimit ekonomik në këto tri dekada ka dëshmuar se forcat e tregut nuk janë të mjaftueshme për të realizuar transformimin strukturor që kërkohet. Firmat nuk ndryshojnë sjelljen dhe modelin e tyre të biznesit nëse nuk e shohin kërcënimin të materializohet. Por atëherë koha nuk do të jetë më premtuese.
Një program i transferimit të teknologjisë dhe nxitjes së inovacionit, në një shkallë të gjerë, duhet të jetë kryefjala e çdo programi ekonomik gjatë dekadës së ardhshme. Programi i financimit për hua që është në zbatim nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare, prej 200 milion euro, duhet të synojë transferimin e teknologjisë në sektorin privat, në mënyrë që firmat vendase të mund t’i mbijetojnë konkurrencës europiane. Ky projekt duhet të shumëfishohet dhe me instrumente të reja qeveritare për të nxitur automatizimin, robotizimin dhe digjitalizimin e proceseve të prodhimit dhe shërbimeve. Kjo është e vetmja rrugë për sektorin privat që të mbijetojë në kushtet e reja. Ndryshimet gjeopolitike dhe rivalitetet teknologjike për ruajtjen e sovranitetit mbi teknologjitë e së ardhmes, janë një motiv shtesë mbi rolin proaktiv që duhet të luajnë qeveritë në dekadat e ardhshme.
*Selami Xhepa është President dhe pedagog me kohë të plotë në UET, me mbi dy dekada përvojë në akademi dhe institucione kyçe si Banka e Shqipërisë, qeveria dhe Kuvendi, si edhe autor e kontribuues aktiv në fushën e politikave dhe reformave ekonomike.
Shkrimet nga projekti ”Lista LIBERALE”/Mapo
