Një senator amerikan gjatë vizitës së tij në Nuuk, kryeqytetin e Greenlandit, tha të hënën se banorët e ishullit arktik janë miq të Shteteve të Bashkuara dhe se komentet e Presidentit Donald Trump për mundësinë e blerjes së territorit kanë dëmtuar besimin e tyre.
“Populli i Greenlandit është mik i ynë. Populli i Danimarkës është mik i ynë. Kur ke miq, duhet të respektohet kjo marrëdhënie,” tha senatori demokrat i Miçiganit, Gary Peters, gjatë një konference për media. “Tani duhet ta riparojmë këtë marrëdhënie,” shtoi ai.
Peters ishte pjesë e një delegacioni prej katër senatorësh që vizituan kryeqytetin e Greenlandit, së bashku me republikanen Lisa Murkowski nga Alaskë, demokraten Maggie Hassan nga Nju Hampshire dhe pavarësin Angus King nga Maine.
Në konferencë mori pjesë edhe aktori Viggo Mortensen, i cili mbante një shirit me mbishkrimin “Greenland nuk është në shitje”.
Shtimi i përpjekjeve të Presidentit Trump për të blerë Greenlandin ka shqetësuar aleatët evropianë dhe ka rindezur debatet mbi sovranitetin dhe sigurinë në Arktik./mxh
