Gati 300 sende personale që i përkisnin ikonës franceze të kinemasë, Brigitte Bardot, janë nxjerrë në ankand në Paris, me të ardhurat që do të shkojnë për aktivitetin e saj në mbrojtje të mirëqenies së kafshëve.
Në ankandin e organizuar nga shtëpia Drouot përfshihen disa prej objekteve më personale të aktores, mes tyre balerinat e famshme Repetto që ajo mbante veshur, bizhuteri me diamante, makina e shkrimit me të cilën shkroi autobiografinë e saj, si dhe një kopje e “Kama Sutra”.
Sendet vijnë nga dy banesat e Bardot në Saint-Tropez dhe nga apartamenti i saj në Paris. Një pjesë e ambienteve janë rikrijuar në kuadër të ekspozitës, duke u dhënë admiruesve mundësinë të shohin nga afër objekte të lidhura me jetën private të yllit francez.
“Çdo objekt i shitur mban gjurmën e një takimi, një fejese, një momenti lumturie, një periudhe në jetën e saj. Ato tregojnë historinë si të gruas ashtu edhe të legjendës”, tha sekretari i saj i hershëm, Frank Guillou.
Bardot, e cila ndërroi jetë dhjetorin e kaluar në moshën 91-vjeçare, ishte një nga figurat më të njohura të kinemasë dhe kulturës popullore në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ajo nisi karrierën si modele dhe aktore në vitet 1950 dhe u shndërrua në një simbol të feminitetit modern dhe revolucionit seksual.
Në pjesën e dytë të jetës së saj, Bardot iu përkushtua kryesisht mbrojtjes së kafshëve. Megjithatë, trashëgimia e saj publike mbeti e debatueshme për shkak të deklaratave të saj homofobike dhe rasteve kur u gjobit për nxitje të urrejtjes racore./ad
