Kombëtarja shqiptare U-21 do të zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve për kampionatin evropian të 21 vjeçarëve ‘Euro 2027’.
Kuqezinjtë e vegjël do të përballen me Ukrainën në 5 tetor në stadiumin “Szentmarjay Tibor Városi Stadion”, në Eger të Hungarisë, në orën 15:30. Kombëtarja U21 do të nisë grumbullimin e saj në 28 shtator në Tiranë, ndërkohë që trajneri Alban Bushi ka publikuar listën me 21 futbollistët e grumbulluar për këtë ndeshje.
Lista sjell katër risi, me dy prej tyre që vijnë nga Kombëtarja U-19. Për herë të parë me Kombëtaren U-21 janë grumbulluar Mattia Huqi dhe Gabriel Kulla, ndërsa mbrojtësit Numan Ajetovikj, futbollist i Egnatias, dhe Omer Bajraktari, futbollist i Malishevës, kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë. Kujtojmë se Shqipëria është një prej vendeve organizatore të Evropianit U21 dhe Kombëtarja e kësaj grupmoshe është e kualifikuar direkt në këtë kompeticion të rëndësishëm./k.m

