Bayern Munich pret Real Madridin në “Allianz Arena”, në sfidën e kthimit të çerekfinales, pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë në Spanjë.
Gjermanët vijnë me një seri prej 15 ndeshjesh pa humbje në të gjitha kompeticionet, ndërsa kanë fituar 22 nga 28 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions.
Reali, megjithëse i mundur në takimin e parë, synon përmbysjen dhe ka fituar 12 nga 13 çerekfinalet e fundit në këtë kompeticion.
Në prag të këtij dueli, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, doli në konferencë për shtyp ku vlerësoi maksimalisht kundërshtarin.
Kompany tha se po përgatiten për versionin më të mirë të Realit në ndeshjen e nesërme.
“Mendoj se ishte një rezultat i mirë. Kaq. Ndoshta mund të kishim shënuar edhe një gol më shumë, por gjithashtu mund të kishim pësuar më shumë. Kemi një avantazh të vogël, asgjë më shumë. Ishte një ndeshje e nivelit të lartë, e vështirë dhe ende nuk ka përfunduar. Jam shumë i kënaqur me rezultatin. Dhe gjithçka që mund të përmirësojmë, do të përpiqemi ta përmirësojmë.
Një nga gjërat kryesore, pa dyshim, është se kemi shumë respekt për Real Madridin. Kështu kemi ndjerë edhe para ndeshjes në ‘Bernabéu’ dhe ende ndihemi njësoj. Po përgatitemi për versionin më të mirë të Realit, që është ai që pamë kundër Manchester Cityt. Rezultatet e fundit të tyre nuk e pasqyrojnë talentin që kanë. Ata janë ende një nga ekipet më të mira në Evropë.
Kur humbëm ndaj Interit dhe udhëtuam në Milano, ishim 100% të bindur se mund të fitonim. Reali ndjen të njëjtën gjë tani. Por ne gjithashtu e dimë si t’i dëmtojmë. Besoj fort se mund të fitojmë. Mund të flasim për gjithçka tjetër më pas, por nuk po i lë vend asgjëje tjetër para kësaj”, u shpreh Kompany./mxh
