Shakira i ka dhënë një tjetër kuptim pushimit nga koncertet. Ndërsa është në mes të rezidencës së saj në Madrid, këngëtarja kolumbiane bëri një ndalesë të papritur në Paris, ku u shfaq në rreshtin e parë të një prej eventeve më të rëndësishme të Javës së Modës.
Më 30 shtator, Shakira mori pjesë në prezantimin e koleksionit pranverë/verë 2027 të Tom Ford, të kuruar nga Haider Ackermann, në Place Vendôme. Paraqitja e saj tërhoqi vëmendje edhe për faktin se këngëtarja nuk është një prej emrave që shfaqen rregullisht në front row të sfilatave të modës.
Për këtë dalje, Shakira zgjodhi një fustan të zi elegant nga koleksioni Pre-Fall 2026 i Tom Ford. Veshja kishte një dekolte të theksuar në formë V-je, shpinë të hapur dhe rripa të dekoruar me kristale, duke i dhënë look-ut një detaj të shkëlqyeshëm pa e ekzagjeruar.

Edhe pse Shakira është një emër i pranishëm në eventet më të mëdha ndërkombëtare, paraqitjet e saj në sfilata janë relativisht të rralla. Në të kaluarën ajo është parë në prezantimin e koleksionit vjeshtë/dimër 2023-24 të Fendi-t, si edhe në sfilatën haute couture të Viktor & Rolf në vitin 2023.

Prania e saj në shfaqjen e Tom Ford ka ngritur pikëpyetje nëse kjo mund të jetë fillimi i një bashkëpunimi apo afrimiteti të ri mes këngëtares dhe markës. Megjithatë, një tjetër shpjegim është shumë më i thjeshtë: Shakira ndodhej në një moment pushimi nga koncertet dhe zgjodhi ta kalonte atë në Paris, mes modës dhe yjeve të showbiz-it.

Këngëtarja aktualisht ndodhet në Madrid, ku po zhvillon rezidencën e saj koncertore në Shakira Stadium, stadiumin e përkohshëm të ngritur në Macondo Park. Koncertet do të vijojnë deri më 3 tetor.
Duke qenë se Parisi është vetëm një fluturim i shkurtër nga Madridi, Shakira shfrytëzoi ditët e pushimit për të bërë një arratisje të shpejtë në kryeqytetin francez.

Atje, ajo u takua edhe me aktoren dhe këngëtaren Cynthia Erivo dhe me këngëtaren Tate McRae, të cilat gjithashtu zgjodhën veshje të zeza për eventin. Madje, Shakira dhe Tate McRae u ulën pranë njëra-tjetrës gjatë prezantimit të koleksionit.

Një takim mes dy artisteve që, për pak çaste, e zhvendosi vëmendjen nga muzika te moda dhe sigurisht, duke parë dy yje të muzikës pranë njëra-tjetrës, nuk munguan as batutat për ritmin dhe kërcimin./mxh
