Last Updated on 12/06/2026 by Anisa
Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar publikisht se “saga” e ndalimit të tij për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara ka marrë fund. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha konfirmon se pas një rishqyrtimi nga Departamenti i Shtetit, ai dhe familja e tij janë zyrtarisht të lirë të udhëtojnë në SHBA, duke e cilësuar këtë si një triumf ndaj një vendimi të padrejtë të administratës së kaluar.
Berisha nuk e ka humbur rastin ta kthejë këtë zhvillim në një fitore të madhe politike kundër kundërshtarëve të tij. Ai ka falënderuar drejtpërdrejt administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për atë që e quan “korrigjim të një padrejtësie historike”.
Në një gjuhë të ashpër, lideri demokrat ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar masën e mëparshme amerikane si produkt të një “lobimi korruptiv” të koordinuar nga vetë Rama dhe “mentori i tij”, George Soros.
Reagimi i plotë i Sali Berishës
“Të dashur miq,
Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.
Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.
Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.
Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.
Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.”/a.d