Pavarësisht deklaratave optimiste të Uashingtonit se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit po i kthehet normales, tregjet ndërkombëtare të energjisë po dërgojnë një sinjal të kundërt.
Çmimi i naftës bruto të llojit Brent është rritur në 107.82 dollarë për fuçi, ndërsa ajo amerikane UTI ka arritur në 103.22 dollarë, duke shpërfaqur një hendek të thellë mes retorikës politike dhe frikës reale nga bllokimi i furnizimeve.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Energjisë Chris Uright pohuan se SHBA-të kanë marrë kontrollin e plotë të Ngushticës dhe po shoqërojnë anijet tregtare, duke pretenduar se fluksi ka arritur në 10 milionë fuçi në ditë, çka përbën rreth dy të tretat e volumit normal.
Megjithatë, të dhënat e transportit detar dhe analizat e tregut tregojnë se numri i tankerave që kalojnë nëpër ngushticë ka rënë në shifra njëshifrore në ditë, nga më shumë se 100 anije që lundronin çdo ditë përpara shpërthimit të konfliktit në shkurt.
Në të njëjtën kohë, Teherani ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-ve, duke njoftuar zona të reja të kufizuara detare dhe duke paralajmëruar anijet se nuk do të lejohen të lundrojnë pa autorizimin e Teheranit.
Situata është rënduar më tej pas dëmtimit të tubacionit saudit Lindje-Perëndim nga një sulm me dron, gjë që bllokoi përkohësisht rrugën kryesore që anashkalonte Hormuzin drejt Detit të Kuq dhe vuri në rrezik edhe 4 për qind të furnizimit global.
Trazirat shtohen edhe nga sulmet e përsëritura të grupit Houthi ndaj infrastrukturës ekonomike në Arabinë Saudite.
Analistët e tregjeve paralajmërojnë se çmimet e naftës do të vazhdojnë të përballen me presione në rritje, për sa kohë kalimi në Ngushticën e Hormuzit mbetet i pasigurt dhe i rrezikuar nga sulmet ushtarake./mxh
