Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas protestës së ndodhur pranë një shkolle në Tiranë, ku Policia e Shtetit ndaloi një person.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla mbrojti veprimet e policisë, duke theksuar se efektivët kanë zbatuar ligjin dhe detyrën e tyre në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve dhe veçanërisht të nxënësve.
“Policia e Shtetit ka bërë detyrën sot pranë perimetrit të sigurisë së një shkolle këtu në Tiranë, duke ndaluar një individ të skeduar për aktivitet kriminal në shpërndarje lëndësh narkotike. Gjatë ndalimit ky individ ka sharë dhe fyer punonjësin e policisë. Nuk di asnjë vend tjetër europian që Policia nuk do të vepronte njëlloj. Prandaj mjaft sulmuat Policinë”, shprehet Balla.
Ai u ndal edhe te respektimi i perimetrit të sigurisë së shkollave, duke theksuar se këto hapësira duhet të mbeten të paprekshme nga çdo aktivitet që cenon rendin dhe sigurinë.
“Perimetri i sigurisë së shkollave nuk duhet të shkelet. Le të gjejnë vende të tjera për të shfryrë dështimin e protestës së tyre”, deklaroi Balla./Mxh
