Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një fushatë të re dhe më të gjerë ushtarake kundër Iranit, e cila mund të nisë brenda 96 orëve nga urdhri i presidentit Donald Trump. Sipas CNN, forcat amerikane janë në gatishmëri në Lindjen e Mesme, ndërsa Uashingtoni po shqyrton objektiva strategjikë përtej instalimeve të zakonshme ushtarake.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga CNN, operacioni i mundshëm do të jetë më i gjerë se sulmet e mëparshme dhe mund të përfshijë infrastrukturën energjetike, instalimet ushtarake dhe objektet e lidhura me programin bërthamor të Iranit.
“Do të jetë një operacion i madh”, deklaroi një nga zyrtarët për CNN
Megjithatë, presidenti Trump nuk ka dhënë ende miratimin përfundimtar. Sipas burimeve të medias amerikane, administrata po shqyrton kohën dhe përmasat e ndërhyrjes, ndërsa një prej skenarëve të diskutuar lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po ushtron presion për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit dhe për një operacion të përbashkët me Shtetet e Bashkuara. Sipas burimeve të cituara nga CNN, Trumpi nuk ka dhënë ende dritën jeshile, ndërsa Izraeli ka vijuar përgatitjet ushtarake.
Nga ana tjetër, vlerësimet e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se Irani dhe rebelët Huthi mund të kundërpërgjigjen duke vënë në shënjestër personelin dhe objektet amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe objektiva të tjera në rajon.
Pikërisht ky rrezik ka shtuar shqetësimet për sigurinë e personelit amerikan. Sipas raportimit, Uashingtoni po shqyrton gjithashtu reduktimin e personelit në disa ambasada të rajonit.
Tensionet janë shtuar edhe në Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për tregtinë globale të naftës. Komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, ka inspektuar zonën, ndërsa forcat amerikane vijojnë operacionet detare dhe përpjekjet për të garantuar lirinë e lundrimit.
Çdo përshkallëzim në këtë zonë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për tregjet ndërkombëtare të energjisë, për shkak të rëndësisë së saj në transportin e naftës.
Pavarësisht përgatitjeve ushtarake dhe presionit izraelit, mbetet e paqartë nëse Trumpi do të autorizojë një sulm të ri dhe cili do të jetë objektivi përfundimtar i operacionit.
Për momentin, vendimi i presidentit amerikan mbetet faktori kryesor që mund të përcaktojë nëse kriza do të kalojë në një fazë të re të konfliktit ushtarak./ad
