Rritja drastike e çmimeve të naftës për shkak të konfliktit në Iran detyroi administratën amerikane të lehtësojë përkohësisht sanksionet ndaj Rusisë. Administrata Trump sqaroi se synohet të stabilizohet çmimi, i cili ka arritur në 100 dollarë për fuçi, por kjo nuk do të shtojë fitimet e Rusisë për financimin e luftës në Ukrainë.
Administrata Trump ka vendosur të lehtësojë përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse, duke lëshuar një licencë 30-ditore për vendet që duan të blejnë produktet energjetike që aktualisht gjenden në anijet në det. Ky vendim vjen si një përpjekje urgjente për të ulur çmimin e “arit të zi”, i cili ka kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi në bursat botërore. Shkak kryesor mbetet bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një pikë nevralgjike nga ku kalon mbi 20% e furnizimit global me naftë.
Shtëpia e Bardhë e sheh këtë lëvizje si të domosdoshme për të mbrojtur ekonominë amerikane dhe atë globale nga goditjet e luftës. Megjithatë, Uashingtoni garantoi se masa nuk rrit fitimet e Rusisë aq sa të ndikojnë në rritjen e financimeve të luftës në Ukrainë./kb
