Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, duke riafirmuar angazhimin e Uashingtonit për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët.
Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada amerikane ka përshëndetur zgjedhjen e presidentes së re, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
“Ambasada amerikane pret me kënaqësi të bashkëpunojë me Justina Shiroka Pulën, presidenten e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
SHBA-ja thekson se mbetet e përkushtuar për të punuar me institucionet kosovare në funksion të paqes rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit të ndërsjellë.
Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës më 7 tetor, me 81 vota në Kuvend, pas një kompromisi politik mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Marrëveshja shmangu shpërndarjen e Kuvendit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kompromisit i paraprinë negociatat mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Partia Demokratike e Kosovës kishte kërkuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përpara zgjedhjes së presidentes.
Kuvendi i miratoi ndryshimet me 88 vota, ndërsa më pas zgjodhi Shiroka Pulën, kandidate e propozuar nga Vetëvendosje dhe e mbështetur edhe nga PDK-ja.
Ekonomiste dhe akademike, Shiroka Pula ka mbajtur më herët poste si ministre dhe deputete e PDK-së. Përpara zgjedhjes në krye të shtetit, ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në fjalën e saj pas zgjedhjes, presidentja e re u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, duke vënë theksin te uniteti, drejtësia, zhvillimi dhe forcimi i institucioneve.
Ajo nënvizoi gjithashtu se Kosova duhet të vijojë rrugën e saj si shtet demokratik, me orientim të qartë euroatlantik dhe me marrëdhënie të forta me aleatët ndërkombëtarë./ad
