Kreu i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje aleatëve që të rrisin përpjekjet mbrojtëse për të shmangur një luftë të mundshme të nxitur nga Rusia, e cila, sipas tij, mund të jetë “në përmasat e luftës që përjetuan gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Gjatë një fjalimi në Berlin, Rutte paralajmëroi se shumë vende aleate nuk e ndiejnë urgjencën e kërcënimit rus në Evropë dhe se duhet të rrisin me shpejtësi buxhetet dhe kapacitetet e prodhimit ushtarak për të parandaluar një konflikt të përmasave historike.
“Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë,” tha Rutte. “Kam frikë se shumë njerëz janë bërë tepër të vetëkënaqur. Shumë nuk e ndiejnë urgjencën. Dhe shumë besojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Koha për veprim është tani.” Ai shtoi se konflikti tashmë është pranë kufijve të Evropës. “Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur.”
Sipas Rutte, Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër NATO-s brenda pesë viteve të ardhshme./mxh
