Gjykimi ndaj tre të akuzuarve për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit është caktuar që të nisë më 24 dhjetor.
Seanca fillestare ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq do të mbahet në orën 09:30 të 24 dhjetorit, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Më 9 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të pandehurve për shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë.
Prokuroria i ngarkon të pandehurit me veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.
Aktakuza thotë se vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv [rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’]në brendësi të kanalit”.
Sipas Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviç e kishin aktivizuar lëndën shpërthyese përmes një çante që e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, “ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër-Lepenc, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike”.
Ndërmarrjes Ibër-Lepenc, sipas aktakuzës, i është shkaktuar një dëm prej afër 400 mijë eurosh.
Jovan Viqentijeviç, po ashtu, akuzohet për spiunazh. Sipas Prokurorisë Speciale, deri në momentin e arrestimit ai ishte i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë dhe mbante gradën e togerit.
Prokuroria tha se ai e kishte ndihmuar këtë shërbim “duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”.
Në hetimet këtë rast, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe ata amerikanë.
Lidhur me shpërthimin, autoritetet kishin arrestuar dhjetëra persona të dyshuar dhe kishin sekuestruar armë dhe eksplozivë. m.p.
