Pesë minatorë kanë humbur jetën pas shembjes së një miniere në rrethin Soma, në provincën Manisa, në Turqinë perëndimore. Autoritetet lokale njoftuan se operacioni i kërkim-shpëtimit përfundoi të premten, pasi ekipet nxorën trupat e tre punëtorëve që kishin mbetur të bllokuar nën tokë.
Shembja ndodhi të enjten në një minierë në Soma, rreth 100 kilometra në verilindje të qytetit bregdetar të Izmirit. Në momentin e aksidentit, brenda minierës ndodheshin shtatë punëtorë.
Ekipet e shpëtimit arritën fillimisht të nxjerrin nga miniera trupat e dy minatorëve, ndërsa dy punëtorë të tjerë u shpëtuan dhe u transportuan në spital për trajtim mjekësor. Tre minatorët e mbetur vijuan të konsideroheshin të bllokuar nën tokë, derisa ekipet e kërkim-shpëtimit i gjetën dhe nxorën trupat e tyre gjatë orëve të para të së premtes.
Guvernatorja lokale e Manisës bëri të ditur se, pas përfundimit të operacionit, bilanci përfundimtar ishte pesë viktima. Autoritetet nuk dhanë menjëherë detaje të tjera mbi shkaqet e shembjes së galerisë.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria në minierat e Somës, një zonë që është përballur edhe më parë me një prej tragjedive më të rënda minerare në Turqi. Në vitin 2014, një zjarr nëntokësor i shkaktuar pas një shpërthimi çoi në vdekjen e 301 minatorëve, të cilët humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni.
Autoritetet turke kanë nisur procedurat për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive lidhur me shembjen e minierës./mxh
