Këngëtarja e njohur Kelly Clarkson ka zbuluar se aktualisht nuk dëshiron të nisë një lidhje të re, pasi prioriteti i saj kryesor janë dy fëmijët e saj.
Gjatë një bisede në podcastin “Las Culturistas”, 44-vjeçarja tregoi se një marrëdhënie e re mund të ndikonte në ekuilibrin familjar, veçanërisht në një periudhë kur fëmijët e saj ende po përballen me humbjen e babait të tyre, Brandon Blackstock.
“Fëmijët e mi, në këtë moment… mendoj se ka shumë gjëra pas kësaj, por besoj se diçka e tillë do t’ua prishte disi ekuilibrin”, u shpreh Clarkson.
Por duket se nuk është vetëm kujdesi për fëmijët arsyeja pse ajo po zgjedh të qëndrojë beqare. Këngëtarja tha se po shijon më shumë se kurrë pavarësinë dhe qetësinë që ka gjetur në jetën e saj.
“Sinqerisht, e dua jetën time tani. Më në fund kam arritur në një pikë ku nuk jam e rraskapitur gjatë gjithë kohës. Nëse do të jesh në një lidhje, duhet të jesh i gatshëm t’i kushtosh një pjesë të kohës tënde. Dhe unë nuk jam e gatshme ta bëj këtë”, tha ajo.
Clarkson ishte e martuar me Brandon Blackstock për shtatë vjet, përpara se çifti të ndahej në vitin 2020. Blackstock ndërroi jetë në moshën 48-vjeçare pas një beteje trevjeçare me melanomën.
Që prej humbjes së tij, këngëtarja ka vendosur t’u kushtojë sa më shumë kohë dy fëmijëve të tyre, River, 12 vjeç, dhe Remy, 10 vjeç.
“Kalojmë shumë bukur bashkë. Gatuajmë, luajmë lojëra. Jam aty kur mbarojnë shkollën ose i çoj vetë në shkollë”, tregoi ajo.
Clarkson ka folur edhe më herët për ndryshimet në jetën e saj pas humbjes së ish-bashkëshortit. Në një intervistë për “Today”, ajo tha se dinamika familjare kishte ndryshuar dhe se kjo e kishte bërë të rishikonte mënyrën se si e ndante kohën dhe energjinë e saj.
“Fillon ta kuptosh se sa e çmuar është jeta”, kishte deklaruar këngëtarja, duke shtuar se pas shumë gjërave që kishin ndodhur njëherësh, kishte kuptuar se kishte ardhur koha të tërhiqej pak./mxh
