Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër qeverinë gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke vënë në pikëpyetje shifrat e publikuara për turizmin dhe duke akuzuar kryeministrin për manipulim të opinionit publik.
Berisha deklaroi se qeveria ka ndryshuar vazhdimisht shifrat që lidhen me numrin e turistëve, duke pretenduar se në statistika përfshihen të gjithë personat që hyjnë në vend me linja ajrore loë-cost, pavarësisht qëllimit të vizitës së tyre.
Sipas tij, realiteti në terren nuk përputhet me propagandën e qeverisë, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të shohin gjendjen e plazheve dhe të infrastrukturës turistike.
Gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës komentoi edhe një ndërhyrje të fundit në zonën e Vunoit, duke iu referuar një rrafshimi terreni që, sipas tij, është kryer nga kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo. Berisha përmendi edhe pretendimet e ngritura në opinionin publik se në atë zonë po përgatitet një rezidencë për kryeministrin.
Në fund të deklaratës, lideri demokrat përdori tone të forta ndaj kryeministrit, duke thënë se e ardhmja e tij politike dhe personale nuk do të jetë largimi në vendlindje, por përballja me drejtësinë.
“Ne ndjejmë neveri për mashtrimet e një mashtruesi ordiner, që edhe bllokonte ekranet me urdhër që të mos jepej fjala ime, dhe fliste për turizmin.
E nisi me 2 milionë, pastaj 4.7 milionë. Dhe tani quhen turistë të gjithë ata që vijnë me EasyJet, me Ryanair. Ata quhen turistë.
Shihni plazhet si i keni.
Dhe së fundi, del Vangjel Tavo, rrafshon një kodër atje. E keni parë apo jo, në Vuno? Të tjerë thonë se po përgatit banesën e ardhshme të Edi Ramës.
Edhe një herë po i them: harroje se do shkosh në katund. Katundi yt, Edi Rama, do të jetë qelia. Do të jetë qelia. Do të jetë qelia. Po, po”, tha Berisha./Mxh
