Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se pas bisedimeve me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe përfaqësuesit e lartë të Hezbollahut, të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të ndaluar sulmet.
Deklarata e Trump vjen pasi Izraeli kërcënoi me sulme të reja në Bejrutin jugor dhe pasi Irani tha se do ta konsideronte këtë një shkelje të armëpushimit me SHBA-në.
“Pata një telefonatë shumë produktive me Kryeministrin Bibi Netanyahu të Izraelit dhe nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut, dhe çdo trupë që është në rrugën e tyre, është kthyer tashmë. Po kështu, nëpërmjet përfaqësuesve të lartë, pata një telefonatë shumë të mirë me Hezbollahun dhe ata ranë dakord që të gjitha të shtënat do të ndalen – që Izraeli të mos i sulmojë ata dhe ata nuk do ta sulmojnë Izraelin”, thuhet në postimin e tij në Truth Social.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më herët gjatë ditës i dha udhëzime ushtrisë izraelite për të sulmuar lagjen Dahieh të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut të mbështetur nga Irani.
Zyra e Netanyahut akuzoi Hezbollahun për shkelje të përsëritura të një armëpushimi të rënë dakord në fund të prillit./mxh
