Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot aromë vere në ambientet e hotel “Dinasty” në Tiranë, u zhvillua një aktivitet i veçantë degustimi, ku u prezantuan disa nga verërat më të njohura të kantinave italiane “Tenuta Iuzzolini”, “Senatore Vini” dhe “Spadafora”.

Ngjarja u organizua nga shoqëria “Eccelenze Italiane”, një ndërmarrje e krijuar në Shqipëri me bazë në Tiranë nga dy sipërmarrës italianë dhe një administratore shqiptare. Misioni i tyre është të vlerësojnë dhe promovojnë produktet më përfaqësuese “Made in Italy”, duke i sjellë ato më pranë konsumatorëve shqiptarë.
“Ne nuk shesim thjesht produkte, por një eksperiencë. Zgjedhim me kujdes verërat dhe produktet gastronomike italiane, të gjitha ekselenca të territorit italian që duam t’i bëjmë të njohura edhe në Shqipëri,” tha përfaqësuesi i “Eccelenze Italiane”, Francesco Aloe.

Degustimi i verërave u përqendrua këtë herë në rajonin e Kalabrisë. Në tavolinat e shijes u prezantuan varietete të ndryshme të rrushit, me origjinë nga zonat e Ciró-s dhe Cosenza-s, që dallohen për tokat e pasura dhe për traditën shekullore të prodhimit të verës.
“Kemi nisur me produktet e Kalabrisë sepse e njohim mirë territorin tonë dhe duam ta prezantojmë atë siç duhet. Në të ardhmen, synojmë të sjellim në Shqipëri verëra dhe produkte nga të gjithë rajonet italiane,” shtoi Aloe.

Por më shumë se një bashkëpunim tregtar, kjo nismë shihet si një urë kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë.
“Shqiptarët janë një popull mik dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Ata kërkojnë produkte cilësore, verëra të rafinuara dhe gastronomi të mirëfilltë. Ne duam të kontribuojmë në këtë evolucion kulturor, duke sjellë në Shqipëri traditën e dietës mesdhetare dhe shijen autentike italiane,” theksoi Francesco Aloe.

Përfaqësuesit e “Eccelenze Italiane” vlerësuan se tregu shqiptar po fiton çdo ditë e më shumë kulturë enogastronomike, një prirje që e afron me vendet e tjera europiane, sidomos me Italinë, ku vera dhe ushqimi janë pjesë e identitetit kombëtar.
Në fund, gotat e verës u ngritën për të shënuar fillimin e një rrugëtimi të ri të shijeve italiane në Shqipëri./MXH
