Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha në “Ditarin Qendror” i dha përgjigje disa pyetjeve lidhur me raportin e tij me kryeministrin, pasi edhe sot Edi Rama u pa teksa debatonte me të gjatë vizitës në lagjen Muradie, në lidhje me lirimin e hapësirave publike në qytetin bregdetar.
I pyetur nëse shkarkimi i mbi 21 drejtorëve të Bashkisë Vlorë me një të rënë të lapsit, pas kritikave nga kryeministri ishte i drejtë, Dredha tha se kërkesa e bërë prej tij për dorëheqjet e tyre erdhi pas një analize mbi punën në qytet.
“Ne bëjmë më të mirën për qytetin dhe kërkojmë më të mirën për qytetin nga gjithë ajo skuadër e madhe që ka Administrata e Bashkisë. Nëse thirrjet kanë qenë të shpeshta për të vendosur piketat, qoftë edhe pjesën organizative apo përditshmërinë e punës që bëjnë kushdo nga drejtuesit në Administratën e Bashkisë, normal që kemi bërë një analizë dhe shikojmë që ka gjëra që mund të bëhen shumë herë më mirë. Kjo nuk do të thotë që ne duam të djegim edhe të njomin me të thatin”, tha Dredha në “Ditarin Qendror” me Loneta Prognin, në A2 CNN.
Në vijim, Dredha shtoi se vijon analiza e thellë në këtë drejtim, “me qëllim që edhe të mos gabojmë”.
“Nuk është pushuar asnjëri nga puna, por është kërkuar një dorëheqje, edhe nga ana ime dhe të gjithë e kanë përqafuar, nuk diskutohet. Dhe pastaj do të shohim si do të realizohet deri në fund, patjetër duke respektuar edhe të gjitha ligjet në fuqi”, theksoi kryebashkiaku i Vlorës. m.p.