Last Updated on 23/09/2025 by adminfjala
Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvillon mbledhjen live për të votuar të vetmen pikë të rendit të ditës, atë të shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Vetë Erion Veliaj nuk është i pranishëm në këtë mbledhje për të dhënë argumentet dhe për t’u dëgjuar nga këshilli, siç ai kërkoi.
Mbledhja u hap nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, e cila tha se vendimmarrja për shkarkimin e Erion Veliajt është i imponuar nga nevoja e situatës së krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut.
“Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur… Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projekt-vendimim për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj”, theksoi Fino.
Komisioni i Çështjeve Ligjore i Këshillit Bashkiak të Tiranës, më herët gjatë ditës së sotme (23 shtator 2025), e refuzoi kërkesën e Erion Veliajt që të dëgjohej.
Socialistët dhe demokratët votuan sot bashkarisht për ta kaluar në rend të ditës shkarkimin e Erion Veliajt, bazuar në mosparaqitjen e tij në detyrë prej të paktën 3 muajsh.
Vendimi që Veliaj të mos dëgjohet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u mor edhe me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste, të cilët edhe kanë propozuar shkarkimin e tij nga detyra.
Një ditë më parë, kryebashkiaku Veliaj kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhje për të dhënë shpjegimet e tij.
Ndërkohë, Sekretari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Behar Zeneli, në një letër kthim-përgjigje dërguar sot Veliajt, thotë se nuk ka asnjë vendim që pengon prezencën e kryebashkiakut në mbledhje. Nëse nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, thotë ai, të dërgojë një letër me shkrim që të mund të lexohet.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Çfarë ndodh pasi Këshilli Bashkiak të votojë shkarkimin?
Vendimi për propozimin e shkarkimit duhet të marrë të paktën 31 vota pro nga 61 këshilltarët. Pas kësaj, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës, ndërsa qeveria merr vendimin final për shkarkim. Megjithatë, kjo nuk do të ishte fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës i jep të drejtë kryebashkiakut të ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh. Në këtë rast, vendimi i qeverisë pezullohet deri në shqyrtimin nga Gjykata. Edhe vetë Veliaj, në letrën e tij drejtuar Këshillit Bashkiak, linte të hapur mundësinë e ankimimit, duke e konsideruar shkarkimin një akt të pajustifikuar dhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë, si edhe theksonte se do ta mbrojë deri në fund kontratën e tij 4-vjeçare me qytetarët e Tiranës.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni./E.T
