Shkencëtarët nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Universiteti i Michigan-it kanë krijuar një robot mikroskopik, më i vogël se një kokërr kripë, që mund të lëvizë, të ndjejë mjedisin dhe të marrë vendime të thjeshta vetë.
Ky robot, i përshkruar në revistën Science Robotics, mund të hapë rrugën për të ardhmen e robotëve që do të përdoren brenda trupit të njeriut për trajtime mjekësore, si riparimi i indeve ose shpërndarja e barnave në zona të vështira për kirurgët.
Roboti përdor qeliza diellore për energji dhe sistem elektrodash për të lëvizur në ujë, duke i mundësuar të “notojë”. Ai mund të komunikojë me operatorët njerëzorë, duke dërguar informacione mbi mjedisin që ndodhet dhe duke marrë urdhra nga laptopi.
Shkencëtarët theksojnë se ky robot është ende eksperimental dhe nuk është i gatshëm për përdorim në trupin e njeriut, por brenda dhjetë vjetësh mund të shërbejë për aplikime reale mjekësore. Hapi tjetër i kërkimit është të lejohet komunikimi ndërmjet robotëve të vegjël, duke krijuar një rrjet inteligjent mikroskopik brenda trupit./kb
