Last Updated on 14/12/2025 by Kesjana
Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur Universitetin Brown në qytetin Providence, në shtetin Rhode Island. Si pasojë e sulmit, dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 20 të tjerë janë plagosur.
Tetë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën, sipas autoriteteve. Policia e Rhode Island vazhdon kërkimet për autorin e dyshuar, i cili është ende në arrati.
Ngjarja ka ndodhur në godinën e inxhinierisë Barus & Holley, ku në atë moment po zhvilloheshin provimet. Rrugët përreth kampusit u bllokuan për disa orë dhe siguria u përforcua ndjeshëm. Forcat e rendit po kërkojnë një burrë të veshur me rroba të errëta.
Gjatë natës janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin. Autoritetet kanë paralajmëruar se pamjet mund të bëhen publike për të ndihmuar hetimin. Studentët mësuan për sulmin përmes alarmeve emergjente në telefonat e tyre.
Universiteti u mbyll menjëherë dhe studentët u strehuan në klasa sipas protokolleve të sigurisë. Shumë prej tyre qëndruan të fshehur nën banka për rreth dy orë. Operacioni për kapjen e autorit u vështirësua nga fluksi i madh i njerëzve në qytet për shkak të aktiviteteve festive të Krishtlindjeve.
