Studiuesit kanë zbuluar se historia e shkrimit mund të jetë dhjetëra mijëra vjet më e vjetër se sa besohej më parë. Objektet e gjetura në shpella në Gjermaninë jugore, të datuara deri në 45,000 vjet, mbajnë modele të gdhendura me pika, kryqe dhe prerje, që mund të jenë forma primitive të komunikimit.
Tradicionalisht, historianët i kanë konsideruar shkrimet proto-kuneiforme të Mesopotamisë, rreth 5,000 vjet më të reja, si fjalët e para të shkruara. Por gjetjet në Lonetal dhe Geißenklösterle tregojnë se njerëzit e Epokës së Gurit përdornin simbole për të përcjellë kuptime dhe mesazhe.
“Sekuencat e shenjave të Epokës së Gurit duket se funksiononin si një sistem simbolik i hershëm, paralel me shkrimet proto-kuneiforme shumë më vonë,” tha Prof. Christian Bentz nga Universiteti i Saarlandit. Ewa Dutkiewicz nga Muzeu i Parahistorisë dhe Historisë së Hershme të Berlinit shtoi se këto objekte tregojnë se gjuetarët-mbledhës kishin aftësi të larta artistike dhe komunikimi ishte pjesë e rëndësishme e jetës së tyre.
Studiuesit analizuan mbi 3,000 shenja në 260 objekte dhe zbuluan modele të përsëritura dhe parashikueshmëri në rreshtat e simboleve, një tipar që i afron këto artefakte me shkrimet e hershme të Mesopotamisë.
Zbulimi sfidon njohuritë e deritanishme mbi origjinën e shkrimit dhe sugjeron se njerëzit e Epokës së Gurit ishin më të sofistikuar në komunikim sesa mendohej më parë. Studimi është publikuar në revistën PNAS./mxh
