Last Updated on 23/06/2026 by Anisa
Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe 66 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në impiantin më të madh të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Katar.
Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në zonën industriale Ras Laffan, rreth 70 kilometra në veri të Dohas.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Katarit, shpërthimi u shkaktua nga një “aksident teknik” në objektin e furnizimit me gaz Barzan. Flakët dhe tymi i dendur ngjyrosën horizontin me ngjyrë portokalli, ndërsa tronditja e shpërthimit u ndje edhe në qendër të Dohas, duke shkaktuar panik te banorët.
Ministri i Energjisë i Katarit, Saad Sherida Al-Kaabi, deklaroi se nuk ka indikacione për sabotim apo sulm të qëllimshëm dhe se incidenti konsiderohet një aksident industrial. Ai shtoi se eksportet e gazit nuk do të preken, megjithëse operacionet në impiant janë pezulluar deri në përfundimin e hetimeve.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit. Sipas ministrit, viktimat janë të gjithë shtetas të Indisë dhe Pakistanit. Ambasada indiane në Doha bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Katarit dhe po ofron ndihmë për familjet e të prekurve.
Kompania shtetërore QatarEnergy konfirmoi se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe arritën ta vendosin zjarrin nën kontroll.
Shpërthimi ndodhi gjatë rifillimit të operacioneve në impiant, të cilat kishin qenë të ndërprera që nga dhjetori 2025 për shkak të punimeve urgjente të mirëmbajtjes./ad
