Last Updated on 20/10/2025 by Kesjana
Shqipëria, një nga sekretet më të ruajtura të Europës, është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara të turistëve në vitin 2025, shkruan revista spanjolle “OKdiario”.
Artikulli rendit disa nga vendet më interesante që turistët duhet të vizitojnë në Shqipëri, duke nisur me Tiranën, muzeun “Shtëpia me Gjethe” dhe qendrën e kryeqytetit.
Më tej sugjerohen dy qytetet antike Berati dhe Gjirokastra, të cilët janë destinacione turistike të famshme dhe të njohura nga UNESCO si site të Trashëgimisë Botërore. Sipas artikullit, falë historisë dhe trashëgimisë kulturore të pasur dhe unike, Gjirokastra tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj gjatë gjithë vitit.
Një sit tjetër historik që rekomandohet është Qyteti antik i Apolonisë, i njohur për tempullin e Artemidës dhe kolonat elegante.
Po ashtu, një destinacion tjetër që nuk duhet humbur gjatë vizitës në Shqipëri është Kruja. E njohur si vendlindja e heroit kombëtar Skënderbeu, ajo magjeps me kështjellën e saj që ofron pamje panoramike të qendrës historike.
Sipas artikullit të revistës spanjolle, Shqipëria krenohet me një pasuri natyrore të admirueshme që rivalizon vendet fqinje, dhe këtë e dëshmon qartë Riviera Shqiptare. Vija bregdetare ofron një koleksion plazhesh me bukuri magjepsëse, me çmime më të lira se vendet fqinje, dhe kulinari të pasur.
Sipas të dhënave zyrtare për periudhën janar–shtator, sitet tona kulturore janë vizituar nga më shumë se 1.2 milion vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje me 57% krahasuar me vitin e shkuar./kb
