Pas më shumë se një dekade premtimesh për zonat ekonomike, Shqipëria po sheh për herë të parë një valë projektesh që shtrihen nga TEDA Tirana dhe qendra logjistike e Lidl në Porto Romano në dy zona të tjera ekonomike me status strategjik apo parqe industriale. Zhvillimet vijnë në një moment kur Bashkimi Europian po i mëshon gjithmonë e më shumë afrimit të zinxhirëve të furnizimit pranë kufijve të tij. Qeveria dhe investitorët privatë shohin mundësi në logjistikë, teknologji, farmaceutikë dhe prodhim me vlerë të shtuar, ndërsa vendi përpiqet të pozicionohet si një nyje rajonale për tregtinë dhe industrinë. Megjithatë, sfidat e vjetra si mungesa e fuqisë punëtore, problemet e pronësisë dhe kufizimet infrastrukturore mbeten pengesa të rëndësishme. Pas viteve kur TEDA-t ekzistonin kryesisht në letra dhe deklarata, suksesi do të varet nga aftësia e Shqipërisë për ta kthyer interesin e investitorëve në fabrika, qendra logjistike dhe vende pune që e lidhin ekonominë me zinxhirët e furnizimit.
Në kilometrin e pestë të autostradës Tiranë-Durrës, pranë aeroportit më të madh të Ballkanit Perëndimor dhe portit kryesor të Shqipërisë, një park i ri industrial po përgatitet të hapë dyert për investitorët e parë të huaj.
Disa kilometra më tej, Bashkia e Tiranës po finalizon TEDA-n e parë funksionale të vendit, ndërsa në Porto Romano, gjiganti gjerman Lidl po ndërton një qendër logjistike që synon të lidhë prodhuesit shqiptarë me zinxhirët europianë të furnizimit. Në Vlorë, një tjetër projekt TEDA ka marrë statusin e investitorit strategjik.
Për një vend që prej më shumë se një dekade ka shpallur zona ekonomike pa arritur t’i kthejë ato në histori suksesi, numri i projekteve që po avancojnë njëkohësisht nuk kalon pa u vënë re. Zhvillimet po ndodhin në një moment kur Europa po përpiqet të afrojë prodhimin dhe logjistikën pranë kufijve të saj, pas goditjeve që morën zinxhirët globalë të furnizimit nga pandemia, lufta në Ukrainë dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Ndërsa Bashkimi Europian po kërkon të forcojë lidhjet ekonomike me Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria synon anëtarësimin brenda kësaj dekade, qeveria dhe investitorët privatë po përpiqen të pozicionojnë vendin si një nyje të re logjistike dhe industriale në rajon.
Megjithatë, pas viteve të humbura me projekte që mbetën në letër, nuk mund të mos ndodhesh para dilemës nëse këtë herë, Shqipëria do të arrijë të shfrytëzojë dritaren që po krijohet nga riformësimi i zinxhirëve europianë të furnizimit, apo do të vazhdojë të mbetet në periferi.
Nga premtimet në letër te projektet konkrete të parqeve industriale dhe TEDA
Për më shumë se një dekadë, Zonat e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik (TEDA) kanë qenë një prej projekteve të përfolura të politikës ekonomike në vend. Që kur u miratua ligji në vitin 2012, ato janë prezantuar si instrumenti që do të tërhiqte investime të huaja, do të krijonte industri të reja dhe do të rriste eksportet. Por në realitet, për vite, shumica e projekteve nuk arritën të kalonin nga planet në letra në zbatim në terren.
Ndërsa Shqipëria po tenton të afrohet gjithmonë e më shumë me Bashkimin Europian dhe ekonomia globale po përjeton një riformësim të zinxhirëve të furnizimit, diskutimi për TEDA-t dhe parqet industriale tashmë merr një vëmendje të re. Këtë herë, në terren po shfaqen investime konkrete.
TEDA Tirana po përgatitet për hapjen e saj operacionale, Nexus Park Tirana pritet të nisë aktivitetin në muajt e ardhshëm, pas marrjes së lejeve të nevojshme edhe si një zonë e lirë ekonomike, Durana Tech Park po promovohet si një qendër për inovacionin dhe teknologjinë, ndërsa në Porto Romano, kompania gjermane Lidl po ndërton bazën e saj logjistike për Shqipërinë. Së fundmi, edhe një projekt TEDA në Vlorë ka marrë statusin e investitorit strategjik.
Për qeverinë, këto zhvillime përkojnë me një moment kur Europa po kërkon të afrojë prodhimin dhe logjistikën pranë kufijve të saj. Pas pandemisë, krizës energjetike dhe tensioneve gjeopolitike, shumë kompani europiane po kërkojnë alternativa më pranë tregut europian, duke reduktuar varësinë nga Azia.
Në këtë kontekst, Shqipëria po përpiqet të paraqitet si një destinacion që kombinon kostot relativisht konkurruese, afërsinë me tregun europian dhe perspektivën e integrimit në BE.
“Shqipëria mund të kthehet në një nga portat hyrëse të Mesdheut për kompani të huaja që synojnë tregun e Bashkimit Europian”, thotë Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër për Ekonominë dhe Inovacionin. Sipas tij, sektori i logjistikës dhe parqet industriale kanë potencial të veçantë në kushtet aktuale, pasi mund të shërbejnë jo vetëm për tregun vendas, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Megjithatë, historia e TEDA-ve është një kujtesë se potenciali nuk mjafton. Vetë z. Musabelliu pranon se pengesa kryesore e këtyre projekteve ndër vite ka qenë prona. “Nëse do të identifikonim një faktor kryesor që ka penguar zhvillimin e TEDA-ve ndër vite, ai padyshim mbetet çështja e pronësisë”, thotë ai.
Sipas z. Musabelliu, studimet dhe planet kanë ekzistuar prej vitesh, por zbatimi është ngadalësuar nga problemet me tokën dhe ndërtimi i modeleve funksionale të biznesit.
Tashmë, për herë të parë, duket se është kapërcyer faza e planeve tek ajo e investimeve konkrete dhe sfidë është aftësia për t’i kthyer ato në qendra funksionale prodhimi, teknologjie dhe logjistike që mund të lidhen me ekonominë europiane.
Logjistika, si po fiton terren ndaj modelit klasik të industrisë
Një nga ndryshimet më të dukshme në projektet që po zhvillohen sot është orientimi gjithnjë e më i madh drejt logjistikës. Ndërsa modeli tradicional i zonave ekonomike fokusohej kryesisht në prodhim dhe manifakturë intensive në punë, projektet e reja po kombinojnë magazinimin, shpërndarjen, shërbimet logjistike dhe aktivitetet me përmbajtje më të lartë teknologjike. Edhe më herët në vend janë zbatuar disa projekte të vogla të izoluara për parqe logjistike, por dimensionet që po merr sot ky sektor janë të tjera.
Për qeverinë, ky është një drejtim që lidhet drejtpërdrejt me pozicionin gjeografik të vendit. “Ne besojmë se logjistika ka potencial shumë të madh zhvillimi në Shqipëri. Pozicioni gjeografik i vendit krijon avantazhe të rëndësishme për zhvillimin e këtij sektori”, pohon z. Musabelliu.
Sipas tij, parqet industriale dhe logjistike mund të shërbejnë si baza për zgjerimin e industrisë dhe shërbimeve në afat më të gjatë.
Një nga projektet më të rëndësishme në këtë drejtim është qendra logjistike që Lidl planifikon të ndërtojë në Porto Romano. Në përgjigjen zyrtare për “Monitor”, kompania gjermane thekson se Shqipëria paraqet potencial të konsiderueshëm për zgjerimin e aktivitetit të saj.
Sipas Lidl, qendra logjistike nuk do të ketë vetëm funksion magazinimi dhe shpërndarjeje, por synon të krijojë lidhje më të forta mes prodhuesve shqiptarë dhe zinxhirëve europianë të furnizimit.
“Po punojmë ngushtë me Autoritetin Portual të Durrësit dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë drejt qëllimit tonë: një qendër moderne logjistike për Lidl, që jo vetëm forcon furnizimin lokal, por mundëson edhe akses të drejtpërdrejtë të prodhuesve shqiptarë në zinxhirët europianë të furnizimit”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Rëndësia e këtij investimi shkon përtej tregut shqiptar të shitjes me pakicë. Nëse prodhuesit vendas arrijnë të integrohen në rrjetin europian të furnizimit të Lidl, ndikimi ekonomik mund të jetë më i madh se vetë investimi fizik në qendrën logjistike. Kompania vlerëson se magazina qendrore do të punësojë rreth 200 persona kur të jetë plotësisht operative.
Në të njëjtën kohë, edhe projektet e tjera private po shkojnë në të njëjtin drejtim. Nexus Park Tirana, që pritet të nisë aktivitetin së shpejti, është ndërtuar pikërisht mbi këtë logjikë. Sipas administratorit Sokol Kraja, vendndodhja ka qenë elementi kryesor i projektit. “Parku ndodhet rreth 3 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe rreth 20 kilometra nga Porti i Durrësit. Nga pikëpamja logjistike, ky është një nga pozicionet më konkurruese për një park të këtij profili”, thotë ai.
Z. Kraja argumenton se afërsia me portin, aeroportin dhe tregun më të madh të vendit përbën avantazhin kryesor të parkut. Sipas tij, zona Tiranë-Durrës përfaqëson rreth 60% të tregut shqiptar, ndërsa afërsia me aeroportin lehtëson lëvizjen e ekspertëve teknikë dhe delegacioneve të huaja.
Kjo qasje tregon se konkurrenca për investime nuk po zhvillohet më vetëm mbi bazën e kostos së punës. Aksesueshmëria, transporti, magazinimi dhe lidhja me tregjet po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm për investitorët që kërkojnë të operojnë pranë tregut europian.
Nga data center te pajisjet mjekësore, sektorët që po kërkojnë të zënë vend
Ndryshe nga interesi i dikurshëm i investimeve të huaja që në fillime u mbështetën kryesisht te fasoneria, edhe pse sot pjesa më e rëndësishme është bërë shitblerja e pasurive të paluajtshme, projektet e parqeve dhe TEDA-ve po tentojnë të tërheqin sektorë me profil më të larmishëm dhe me vlerë më të lartë.
Kjo mund të shihet që në këto fillesa me investitorët që kanë shfaqur interes, apo edhe tek aktivitetet që promovohen brenda zonave ekonomike.
Në TEDA Tirana, interesi i parë lidhet me një projekt në sektorin e teknologjisë. Administratori Dritan Delija shprehet se është nënshkruar një marrëveshje me një kompani izraelite, e specializuar në qendrat e të dhënave. Sipas tij, projekti parashikon fillimisht një kapacitet prej 30 MW, i cili mund të arrijë deri në 100 MW brenda pesë viteve.
“Me këtë kapacitet, në nivel Ballkani do të jetë ndër më të mëdhatë”, thotë z. Delija. Sipas tij, prania e një investimi të tillë mund të rrisë besueshmërinë e zonës dhe të tërheqë kompani të tjera që operojnë në sektorët e teknologjisë, ICT-së dhe shërbimeve digjitale.
TEDA Tirana po synon gjithashtu sektorë si industria automotive, industria farmaceutike, logjistika, shërbimet teknologjike dhe aktivitetet prodhuese. Z. Delija argumenton se pozicioni gjeografik i Shqipërisë dhe afërsia me tregjet rajonale po sjellin interes nga investitorë të ndryshëm.
Ai shton se kompani nga Kosova që operojnë në logjistikë, Inteligjencë Artificiale dhe shërbime kanë zhvilluar takime me administratën e zonës.
Edhe në Nexus Park, profili i investitorëve që kanë nënshkruar marrëveshje, tregon orientim drejt sektorëve me specializim më të lartë. Sipas Sokol Krajës, mes kompanive që po vendosen në park janë dy kompani farmaceutike italiane që prodhojnë pajisje mjekësore si pacemaker dhe defibrilatorë kardiakë.
Një tjetër investitor italian do të merret me montimin e laboratorëve dentarë, ndërsa një kompani tjetër operon në furnizimin e spitaleve me pajisje dhe materiale mjekësore.
Sipas z. Kraja, modeli i parkut synon t’u kursejë investitorëve kostot e larta fillestare. “Investitorët marrin një ambient të gatshëm dhe mund të nisin aktivitetin menjëherë sapo parku të bëhet operativ”, thotë ai.
Një element tjetër që ai e konsideron të rëndësishëm është krijimi i degës doganore brenda parkut, e cila do të mundësojë kryerjen e procedurave të importit dhe eksportit në vetë zonën.
Pavarësisht interesit në rritje, aktorët e sektorit pranojnë se Shqipëria nuk është ende në pozicion për të tërhequr investime shumë të mëdha industriale. Z Delija thekson se sipërfaqja aktuale e TEDA Tiranës nuk është e mjaftueshme për kompani të përmasave të prodhuesve globalë të automobilave.
“Një kompani si Mercedes apo Volksëagen do të kërkonte rreth 150 hektarë sipërfaqe”, shprehet ai.
Për këtë arsye, strategjia aktuale duket se fokusohet më shumë në tërheqjen e kompanive të mesme dhe aktiviteteve që mund të krijojnë gradualisht një bazë lokale të aftësive teknike dhe teknologjike. Nëse këto investime arrijnë të konsolidohen, ato mund të krijojnë themelet e një profili të ri industrial për ekonominë shqiptare, më të orientuar drejt teknologjisë, logjistikës dhe prodhimit me vlerë të shtuar.
Mundësia që krijon Europa: A mund të përfitojë Shqipëria nga nearshoring?
Përkrah investimeve konkrete që po marrin formë në Shqipëri, një nga faktorët që po ushqen optimizmin e qeverisë dhe investitorëve është transformimi që po kalon ekonomia europiane.
Pandemia e COVID-19, lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe tensionet tregtare globale kanë nxjerrë në pah dobësitë e zinxhirëve të gjatë të furnizimit, duke bërë që shumë kompani europiane të rishikojnë vendndodhjen e prodhimit dhe logjistikës së tyre.
Madje tashmë edhe kompanitë kineze po tentojnë t’i afrohen Europës.
Për dekada me radhë, një pjesë e konsiderueshme e industrisë europiane u zhvendos drejt Azisë për shkak të kostove më të ulëta. Megjithatë, krizat e viteve të fundit treguan se kursimet e kostove mund të kompensohen nga rreziqet që lidhen me transportin, vonesat dhe pasiguritë gjeopolitike. Si rezultat, gjithnjë e më shumë kompani po kërkojnë alternativa më pranë tregut europian.
Ky proces, i pagëzuar si nearshoring, konsiderohet një nga mundësitë më të mëdha për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Shqipëria po përpiqet të pozicionohet si pjesë e kësaj vale investimesh, duke promovuar afërsinë gjeografike me Bashkimin Europian, kostot konkurruese të operimit dhe perspektivën e integrimit europian.
“Nearshoring është njëkohësisht përparësi për Shqipërinë dhe për vetë Bashkimin Europian”, thotë zëvendësministri Enkelejd Musabelliu. Sipas tij, mekanizma të rinj europianë si rregullimi i karbonit në kufi po krijojnë stimuj shtesë për kompanitë që të afrojnë prodhimin pranë tregut europian.
Ai argumenton se vendet që prodhojnë me standarde më të ulëta mjedisore do të përballen me kosto shtesë për eksportet drejt BE-së. Në këtë kontekst, Shqipëria mund të përfitojë nga afërsia gjeografike dhe nga përpjekjet për të rritur përdorimin e energjisë së rinovueshme.
“Shqipëria ka një mundësi reale për t’u integruar në zinxhirët europianë të vlerës”, shprehet z. Musabelliu.
Kjo mundësi lidhet edhe me Planin e Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon integrimin gradual të ekonomive të rajonit në tregun europian edhe para anëtarësimit formal. Për Shqipërinë, kjo do të thotë më shumë akses në tregje, procedura më të harmonizuara dhe një mjedis më të njohur për investitorët europianë.
Megjithatë, ekspertët e zhvillimit industrial theksojnë se afërsia me Europën nuk mjafton. Për të përfituar nga nearshoring, vendet duhet të ofrojnë infrastrukturë moderne, siguri juridike, fuqi punëtore të kualifikuar dhe procedura efikase administrative.
Në mungesë të këtyre elementeve, investitorët mund të zgjedhin destinacione të tjera në rajon që kanë përparuar më shpejt në ndërtimin e ekosistemeve industriale.
Për këtë arsye, zhvillimi i TEDA-ve, parqeve industriale dhe qendrave logjistike shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë. Objektivi nuk është vetëm tërheqja e investimeve individuale, por krijimi i infrastrukturës që mund të integrojë Shqipërinë në rrjetet europiane të prodhimit dhe furnizimit.
Nëse vala e re e nearshoring do të përkthehet në investime të qëndrueshme, kjo do të varet nga aftësia e vendit për të kaluar nga të thënët në të bërë.
Pengesat që mbeten nga prona, te fuqia punëtore dhe infrastruktura
Edhe pse investimet e reja kanë rikthyer diskutimin për një zhvillim më dinamik të industrisë dhe logjistikës, sfidat që kanë penguar zhvillimin e këtyre projekteve në të kaluarën vazhdojnë të mbeten po aq aktuale edhe sot.
Shumë prej tyre vazhdojnë të konsiderohen pengesa të mëdha për ekonominë shqiptare dhe për aftësinë e saj për të konkurruar me vendet e tjera të rajonit.
Një nga problemet më të përmendura është çështja e pronësisë. Problemet me tokën, proceset e gjata administrative dhe pasiguritë ligjore kanë bërë që shumë projekte të zgjasin më shumë sesa ishte planifikuar. Pikërisht për këtë arsye, qeveria argumenton se zonat ekonomike dhe parqet industriale mund të ofrojnë më shumë siguri juridike për investitorët, pasi krijojnë një kuadër më të qartë për pronën dhe investimin.
Një tjetër sfidë lidhet me fuqinë punëtore. Shqipëria vazhdon të përballet me emigracion të lartë dhe mungesë të specialistëve në disa sektorë. Kjo konsiderohet një nga shqetësimet më të mëdha për investitorët që synojnë aktivitete prodhuese apo ato të teknologjisë.
“Emigracioni është sfida më reale që kemi”, thotë Sokol Kraja, administrator i Nexus Park Tirana. Sipas tij, largimi i profesionistëve lidhet kryesisht me faktorët ekonomikë dhe me diferencat në paga. Ai argumenton se vetëm një ekonomi që krijon më shumë vlerë të shtuar mund të mbështesë paga më të larta dhe të frenojë largimin e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Përveç fuqisë punëtore, investitorët kërkojnë edhe kapacitete më të mëdha infrastrukturore. Ndërsa pozicioni gjeografik i Shqipërisë konsiderohet avantazh, shumë projekte logjistike dhe industriale varen nga përmirësimi i mëtejshëm i lidhjeve rrugore, portuale dhe hekurudhore.
Përtej këtyre kufizimeve, aktorët publikë dhe privatë argumentojnë se Shqipëria mund të ndërtojë gradualisht një bazë më të fortë duke u ndalur tek ato investime që mund “t’i përballojë”.
Pavarësisht avantazheve të projekteve të TEDA-ve, parqeve industriale dhe qendrave logjistike, suksesi i tyre nuk garantohet vetëm nga lehtësi fiskale apo statuset e investitorëve strategjikë që një pjesë e tyre kanë përfituar.
BE-ja mund t’i ndryshojë rregullat e lojës për TEDA-t
Modeli i sotëm i TEDA-ve shqiptare mbështetet kryesisht te lehtësitë fiskale. Por nëse Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian rreth vitit 2030, hapësira për përjashtime të gjera nga taksat do të ngushtohet.
Rregullat europiane për konkurrencën dhe ndihmën shtetërore kufizojnë favorizimin selektiv të kompanive apo zonave të veçanta, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e modelit “pa taksa” si avantazh kryesor. Kjo nuk do të thotë fund për TEDA-t, por transformim të tyre.
Vlera e këtyre zonave, në këtë kontekst, nuk qëndron vetëm te lehtësitë fiskale afatshkurtra. Ato mund të shërbejnë si një mënyrë për të ndërtuar sot infrastrukturën industriale, logjistike dhe administrative që i mungon vendit.
Pas hyrjes në BE, më konkurruese do të jenë zonat që kanë arritur të krijojnë investitorë, furnitorë, fuqi punëtore të trajnuar, doganë më të shpejtë, energji të sigurt dhe lidhje me tregjet europiane. Në BE, zonat e lira dhe parqet industriale ekzistojnë ende, por konkurrojnë më shumë me eficiencë sesa me privilegje fiskale.
DuranaTech Park, çfarë ofron
Durana Tech Park është prezantuar nga qeveria si një park teknologjik që synon të tërheqë kompani teknologjike, startup-e, universitete dhe profesionistë digjitalë. I vendosur në Xhafzotaj, theksi gjatë promovimit të këtij projekti ka qenë te kostot më të ulëta të operimit dhe lidhjet rajonale.
Konkretisht, oferta kryesore lidhet me regjimin fiskal: 0% tatim mbi fitimin, 0% TVSH, 0% tatim mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe lehtësi të tjera për subjektet që kualifikohen. Durana synon gjithashtu të krijojë një rrjet bashkëpunimi mes kompanive teknologjike, universiteteve, institucioneve kërkimore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Parku përmend si pjesë të ofertës aksesin në financime, grante inovacioni, programe zhvillimi dhe lidhje me investitorë. Modeli i Durana Tech Park mbështetet më shumë te shërbimet teknologjike, inovacioni dhe ekonomia digjitale, sesa te prodhimi klasik industrial./monitor-ad
