Shqipëria është kthyer prej vitesh në një nënë surrogato pa kontratë dhe pa të drejtë fjale. Trupin ia ka dhënë lindjes, por zemrën ia kanë marrë. Lind fëmijë jo për t’i parë të rriten pranë oxhakut, por për t’i parë të treten në aeroporte, si avull që ikën pa zhurmë. Në këtë vend, barku i nënës është bërë linjë prodhimi, ndërsa djepi një sallë pritjeje për largimin.
Ne i rrisim me sakrificë, i ushqejmë me ëndrra të shtyra për nesër. U mësojmë të ecin drejt, por jo ku të shkojnë. Kur rriten, ua hapim derën vetë, sepse këtu nuk ka vend për hapësirën e tyre. Shqipëria i rrit si pemë në vazo të vogël dhe çuditet pse rrënjët kërkojnë tokë tjetër.
Europa nuk na i merr fëmijët me forcë; ne ua dorëzojmë me duart tona, si dhuratë të hidhur. Ata ikin me një valixhe të mbushur me mall dhe një CV plot shpresa, ndërsa ne mbetemi duke numëruar vitet në kalendar, jo rritjen e tyre. Kemi shpikur një atdhetari të re: të durosh largimin dhe ta quash sukses.
Eksportojmë pasardhësit tanë si mall me vlerë të shtuar njerëzore. Truri, krahu, shpirti, gjithçka shkon jashtë. Brenda mbetet heshtja, si një fabrikë e fikur që ruan vetëm zhurmën e dikurshme. Fshatrat bëhen albume fotografish pa zë, kurse qytetet janë si korridore tranziti.
Dhe pastaj vjen pagesa mujore, si një rrahje zemre artificiale. Western Union është bërë zyra jonë e takimeve familjare, altari ku lutemi me numra reference. Aty takojmë fëmijët tanë në formë shifre, jo në përqafim. Aty dashuria konvertohet në euro dhe malli në komision transferte.
Një vend që jeton nga dërgesat është një vend që ka hequr dorë nga e ardhmja. Sepse fëmijët nuk janë remitanca dhe nënat nuk janë inkubatorë për botën. Shqipëria duhet të vendosë: të mbetet nënë surrogato e përhershme apo të bëhet shtëpi. Jo për t’i mbajtur me zor fëmijët e saj, por për t’u dhënë arsye të qëndrojnë. M.P.
