Shqipëria U-19 ka marrë fitoren e dytë radhazi ndaj Lituanisë U-19 në miqësore, duke triumfuar me rezultatin 2-1.
Skuadra kuqezi u paraqit mjaft mirë në sfidën e luajtur në stadiumin e Vorës, duke marrë maksimumin edhe në këtë përballje.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e miqve, të cilët shënuan në njërën prej të paktave mundësi që patën.
Megjithatë, në pjesën e dytë, djemtë kuqezi u treguan më të saktë në finalizim, duke shënuar dy herë me Elson Himallarin, i cili realizoi të dy golat brenda pak minutash. Një paraqitje shumë e mirë e futbollistit të Partizanit, i cili ishte përcaktues në fatin e kësaj sfide.
Shqipëria U-19 e mbyll këtë grumbullim me dy fitore, pasi mposhti Lituaninë U19 në të dyja ndeshjet e luajtura në Vorë.
Trajneri Tafaj mori përgjigje pozitive nga lojtarët e grumbulluar, të cilët pritet të përbëjnë boshtin e skuadrës edhe në grumbullimet e ardhshme, në prag të ndeshjeve zyrtare./mxh
