Shtresa e madhe e akullit në Groenlandë ka vijuar të humbasë masë për të 30-in vit radhazi, duke konfirmuar një trend afatgjatë të ndryshimeve klimatike.
Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Danimarkës dhe Grenlandës (GEUS), akulli që mbulon rreth 80 për qind të territorit të Grenlandës është në tkurrje të vazhdueshme që prej periudhës 1995-1996. Për ekspertët, kjo nuk bëhet fjalë për një luhatje të përkohshme, por për një tregues të qartë të ndryshimeve në klimë.
Studiuesja e GEUS, Signe Hillerup Larsen, e cilësoi vazhdimin e shkrirjes për 30 vite me radhë si një zhvillim të pritshëm, por theksoi rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës.
Sipas saj, humbja e akullit në Groenlandë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të deteve në mbarë botën. Sa më e madhe të jetë sasia e akullit që humbet, aq më i madh është edhe kontributi në ngritjen e nivelit të detit.
Sezoni i shkrirjes së akullit në Groenlandë përfundon në muajin gusht, ndërsa ndryshimi i masës së shtresës së akullit matet për periudhën nga shtatori deri në gusht. Gjatë vitit të fundit, Groenlanda humbi rreth 173 miliardë tonë akull.
Ekspertët presin që procesi i shkrirjes të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, veçanërisht nëse temperaturat globale vijojnë të rriten./mxh