Last Updated on 20/06/2026 by Anisa
Nga Reldar Deda
Niveli i demokracisë që kemi krijuar përgjatë tridhjetë e ca viteve nuk i lejon qytetarët ta rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti, pavarësisht entuziazmit që ka ngritur me të drejtë, çdo natë, protesta madhështore në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”. Theksojmë, niveli i demokracisë, sepse, nëse do kërkonim bazën e pushtetit të tij, qytetarët do ta gjenin atë tek pushteti i madh ekonomik i të ashtuquajturve oligarkë; tek pushteti i krimit të organizuar që është investuesi kryesor sot në ekonominë shqiptare; tek pushteti mediatik ku kanë investuar një pjesë e të parëve dhe të dytëve; dhe, së fundi, por ndoshta më vendimtari: pushteti i atyre që i quajmë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE. Kuptohet se këto aleatë të Edi Ramës, të cilët prej 13 vitesh e kanë ngufatur qytetarin shqiptar, nuk duhet harruar asnjëherë se kanë ngulur gishtat, thonjtë, kthetrat e thundrat e tyre në bazën e pushtetit, d.m.th., në ekonomi, në politikë dhe në shoqërinë shqiptare.
Edi Rama do vazhdojë të qëndrojë gjatë në majë të kësaj autokracie, pavarësisht koreve qytetare dhe thirrjeve të vazhdueshme për të dhënë dorëheqjen. Kjo jo se është më i zoti, as se është më i poshtri, edhe pse më të poshtër se ai deri më tani s’kemi parë, as se është treguar më i afti për të konverguar e harmonizuar interesat e këtyre katër pushteteve, duke i bindur, me fjalët dhe veprat e tija, se u shërben më mirë se kushdo të katërve, madje se, sikur ai të bjerë, kjo do të ishte edhe rënie e interesave të tyre. Në fakt, këtu qëndron edhe fatkeqësia e kësaj proteste, pasi e gjithë kjo pamje e ka një të vërtetë të madhe.
Loja që po bëjnë organizatorët e fshehur të kësaj proteste, të cilët luajnë me entuziazmin e rinisë dhe më shumë se kaq, të të gjithë qytetarëve nga Vermoshi në Konispol, nuk mund të kuptohet jashtë punës së tyre dhjetëra vjeçare për të ruajtur e fuqizuar katër pushtetet që e mbajnë Edi Ramën në ndenjësen e poltronës. Këto katër pushtete, edhe pse po diskreditohen nga apoteozat qytetare të vazhdueshme në bulevard, prapëseprapë e kanë fuqinë për t’ia zgjatur jetën politike atij dhe pushtetit të tij. Sepse, asnjë qeverisje në Shqipëri, sado e mirë apo e keqe të jetë ajo, nuk i reziston dot ndikimit të vendeve të tjera.
Një iluzion i krijuar me qëllim nga organizatorët e fshehur të protestës na tregon vazhdimisht se pushteti ngrihet dhe bie vetëm nga zhvillimet e brendshme. Madje, ky nuk është një mendim i vetëm organizatorëve të kësaj proteste, por një mendim shumë më i gjerë, që nis me shkollimin tonë marksist, që fatkeqësisht ende nuk është çrrënjosur nga mendimi i shkollës shqiptare, ku: historinë e bën populli. Edhe pse, historia jonë politike tregon krejt të kundërtën. Sa herë që ka ndryshuar pushteti në Shqipëri, ndryshimi ka ardhur si pasojë e lëvizjeve më të mëdha jashtë saj; nga transformimet në perandori, nga përplasjet mes fuqive të mëdha, nga ndryshimet e regjimeve në vendet fqinje apo nga rikonfigurimi i rendit botëror. Shqipëria nuk ka qenë kurrë një fuqi që përcakton vetë ekuilibrat rajonalë. Është një vend i vogël, i vendosur në një hapësirë ku interesat e të tjerëve kanë peshuar shpesh më shumë sesa vullneti i elitave vendase. Për këtë arsye, asnjë pushtet shqiptar nuk ka mundur t’u rezistojë për një kohë të gjatë ndryshimeve që kanë ardhur nga jashtë.
Kjo çfarë shkruhet këtu, s’mund të jetë një fantazi e thjeshtë komploti e shkruesit të këtyre radhëve, edhe pse sa i përket fantazisë, shumë kënd lë mbrapa, por një analizë e bazuar mbi atë se çfarë ka ndodhur përgjatë një shekulli me historinë e vendit dhe me atë çfarë po ndodh prej njëzet ditësh në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, një histori sa mbresëlënëse po aq edhe keqardhëse. Në Shqipëri, pushteti rrallë humbet vetëm nga vota dhe rrallë mbahet vetëm me votë. Ai mbahet për aq kohë sa ruan mbështetjen e qendrave të ndikimit jashtë vendit. Kur kjo mbështetje lëkundet, fillon numërimi mbrapsht. Prandaj, shpeshherë historia politike shqiptare është përmbledhur më saktë në një shprehje popullore: mjaftojnë dy gisht kartë nga jashtë dhe njeriu më i fuqishëm i vendit mund të mbetet pa pushtet brenda natës.
Një gjë e tillë mund të tingëllojë krejt cinike, por historia e Shqipërisë duket se e ka konfirmuar vazhdimisht. Kush analizon protestën madhështore të shqiptarëve në bulevard pa parë se çfarë ndodh përtej kufijve, rrezikon të shohë vetëm gishtin që tregon diellin dhe jo këtë të fundit që i verbon sytë. Sepse në vendet e vogla, pushteti nuk kuptohet vetëm nga ajo që ndodh brenda. Shpesh çelësi i tij gjendet jashtë.
Çfarë ka ndodhur realisht?
Përballë një kërkese të rëndësishme nga Donald Trump, Edi Rama zgjodhi të mos hynte në kurs përplasjeje me Uashingtonin. Ishte një zgjedhje pragmatike, e diktuar nga llogaritja e kostove dhe përfitimeve politike. Si shpesh në politikën shqiptare, rreziku i menjëhershëm u shmang, ndërsa pasojat afatgjata u lanë për t’u përballuar më vonë. Por ky pozicionim duket se ka prodhuar efekte anësore në raport me Brukselin në përgjithësi, e në veçanti me lokomotivën e Europës: Gjermaninë! Kjo e fundit ka krijuar përshtypjen se Shqipëria nuk ndjek gjithmonë një vijë të parashikueshme dhe të qëndrueshme politike dhe, për pasojë, kritikat e saj ndaj qeverisë shqiptare për korrupsionin, standardet demokratike dhe raportin me institucionet e drejtësisë janë bërë më të forta dhe më pak tolerante.
Ata kanë vazhduar të ushtrojnë dhe të nxisin mekanizmat e tyre të krijuar këtu e njëzet e ca vite më parë, por edhe mekanizmat e krijuar së fundmi, shoqatat mjedisore, elementë të drejtësisë së re, media, liderë të komunikimit, grupe kulturore, për të shqyer dhe copëtuar elementë të rëndësishëm të mazhorancës qeverisëse, por edhe elementë kaq të rëndësishëm të opozitës dhe veçanërisht të Partisë Demokratike. Një rast i paprecedent mund të jetë edhe shantazhi që bëjnë me disa prokurorë të SPAK-ut, të cilët nën peshën e përgjimeve, shantazhohen për të goditur mbi brez e nën brez anëtarë dhe ish-anëtarë të kabinetit qeveritar, nën moton e famshme: luftë pa kompromis korrupsionit. Si në rastin e prokurorit të SPAK-ut, Dritan Premçi. Gjermanët i kanë zbuluar me kohë lidhjet e tij me një nga anëtarët e organizatës ”Hakmarrja për Drejtësi”, famozin Orik Shyti dhe, duke i ditur lidhjet e tij me të, e shantazhojnë për të sulmuar anëtarë dhe ish-anëtarë të kabinetit qeveritar, me shpresën se kështu dhe në këtë mënyrë mund të bëjnë kurban kokën e Edi Ramës në bulevard.
