Mundësia për një marrëveshje të afërt për t’i dhënë fund konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit duket sërish e pamundur, ndërsa palët ndërluftuese po shkëmbejnë sulme dhe retorikë të ashpër e të pakompromis.
Sulmet vijnë disa ditë pasi SHBA-ja njoftoi se po hynte në një fazë të re – një bllokadë të gjerë ekonomike ndaj Iranit dhe vendeve që tregtojnë me të.
Synimi i SHBA-së ishte ta detyronte Iranin të negocionte dhe t’i jepte fund sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, shkruan BBC.
Kjo rrugë kryesore për transportin tregtar detar është praktikisht e mbyllur që nga fillimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në shkurt.
Një Memorandum Mirëkuptimi (MoU), të cilin të dyja palët e nënshkruan në qershor dhe që synonte të çonte në një armëpushim të përhershëm dhe një marrëveshje brenda 60 ditësh, tashmë ka skaduar.
Ndërsa konflikti hyn në muajin e shtatë, ne u kërkuam tre ekspertëve mendimin e tyre se si mund të zhvillohen ngjarjet më tej.
SHBA shpreson se presioni ushtarak dhe ekonomik do ta dobësojë fuqinë negociuese të Iranit
Jason Campbell, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme, Uashington DC
Problemi është se ende nuk e dimë me siguri se cilat janë objektivat strategjike të SHBA-së në Iran.
Shtëpia e Bardhë po rivlerëson vazhdimisht se me çfarë është e gatshme të pajtohet nga pikëpamja politike. Mendohej se komponenti ushtarak do të mjaftonte për një fitore të shpejtë, por kjo nuk ka dhënë efektin e dëshiruar.
Ajo që po shohim janë mjete të ndryshme presioni – si ushtarake, ashtu edhe ekonomike – të cilat SHBA-ja po përpiqet t’i përdorë.
Aktualisht, administrata amerikane duket se është e kënaqur me një lloj status quo-je. Mendoj se është e kënaqur me ruajtjen e bllokadës dhe me lejimin e sulmeve periodike kundër kapaciteteve të Iranit për të penguar transportin detar në ngushticë.
Zyrtarët amerikanë shpresojnë se sanksionet e reja do të jenë të mjaftueshme për ta detyruar regjimin iranian të ulet në tryezën e negociatave nga një pozicion më i dobët.
Forcat amerikane duket se kanë qenë në gjendje të mundësojnë ditët e fundit një qarkullim të kufizuar të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, mjaftueshëm për të shmangur një goditje të fortë të çmimeve të naftës apo një kolaps të ekonomisë globale. Por këto nuk ishin objektivat e SHBA-së kur nisi lufta.
Mendimi im është se Irani ka gjasa të kërkojë një çmim të lartë për të arritur një zgjidhje, gjë që me shumë mundësi do të mbetet politikisht e papranueshme për administratën Trump.
Irani do të presë për lëshime nga SHBA-ja
Dr. Aniseh Bassiri Tabrizi, bashkëpunëtore e asociuar në Programin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House, Londër
Nuk mendoj se sulmet e fundit e ndryshojnë në mënyrë thelbësore mënyrën se si Irani e vlerëson luftën.
Mendoj se Teherani po përgatitet për një shtim të presionit mbi ekonominë e tij, si dhe për vazhdimin e sulmeve të herëpashershme që kemi parë gjatë dy muajve të fundit. Synimi i tyre do të jetë t’u përgjigjen këtyre sulmeve në mënyrë proporcionale, në mënyrë që të shmangin përshkallëzimin drejt një konflikti më të gjerë.
Sa i përket ekonomisë, është e qartë se kjo ka gjasa ta godasë ekonominë iraniane, e cila tashmë është prekur nga lufta dhe përballet prej kohësh edhe me probleme strukturore, siç e kemi parë gjatë protestave të dhjetorit dhe janarit në Iran.
Por nuk më duket se nga pala iraniane ekziston bindja se presioni ekonomik do të ndryshojë së shpejti qëndrimin e Iranit, përfshirë edhe qëndrimin e tij ndaj negociatave.
Kjo nuk do të thotë se Irani nuk po kërkon një rrugëdalje nga konflikti, por mendoj se ajo që po shohim është se Teherani po pret që SHBA-ja t’i rikthehet Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU), ose të paktën të ofrojë një lloj lëshimi.
Teherani nuk dëshiron t’i nënshtrohet presionit amerikan dhe as të ndryshojë qasjen e tij si përgjigje ndaj sanksioneve apo sulmeve të tjera.
SHBA e di se çfarë duhet të bëjë – të rikthehet te marrëveshja e armëpushimit
Nicholas Hopton, bashkëpunëtor i shquar për sigurinë ndërkombëtare në institutin e studimeve RUSI në Londër dhe ish-ambasador britanik në Iran
Rritja e fundit e veprimeve ushtarake nuk do të çojë në kapitullimin e Iranit – është thjesht kthesa e fundit e këtij konflikti. As presioni ekonomik nuk ka gjasa të funksionojë, sepse Kina, Rusia dhe shumë vende të tjera që tregtojnë me Iranin nuk do t’i mbështesin sanksionet e njëanshme të SHBA-së.
Irani mund të vazhdojë të pengojë qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit – ai ka në dorë një pikë jetike të ekonomisë globale.
Cila është strategjia e daljes nga konflikti e Shtëpisë së Bardhë?
Në fakt, SHBA-ja tashmë e ka gjetur atë. Nëse Trump do të angazhohej në mënyrë të qëndrueshme për të negociuar marrëveshjen e përshkruar në Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU) të qershorit, kjo do të ishte rruga e daljes nga konflikti.
Jo vetëm që një marrëveshje do t’i jepte SHBA-së një lloj fitoreje, pasi do t’i dobësonte forcat radikale brenda Republikës Islamike, por gjithashtu do t’i siguronte të gjithëve se Irani nuk do të pajisej me armë bërthamore.
Në MoU ekziston një element kyç: heqja e të gjitha sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Heqja e këtyre sanksioneve, me kalimin e kohës, do të dobësonte Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Angazhimi ekonomik mes botës së jashtme dhe Iranit në një formë të re do të sillte gradualisht ndryshime radikale politike dhe shoqërore – duke rezultuar në një regjim islamik, por të një natyre shumë të ndryshme.
Sigurisht, kjo nuk do të ishte e lehtë për t’u arritur, për shkak të depërtimit të gjerë të IRGC-së në ekonominë iraniane. Por duhet të funksionojë, nëse i jepet kohë e mjaftueshme dhe nëse SHBA-ja dhe partnerët e saj tregojnë durim strategjik, diçka që, për fat të keq, aktualisht mungon.
Për momentin, mendoj se do të vazhdojmë të përballemi me një situatë të rrëmujshme dhe pa një rezultat të qartë, e cila është e keqe për të gjithë. /ad
