Last Updated on 18/11/2025 by EL
Si t’i qaseni qetë, si ta kuptoni arsyen e sjelljes dhe si ta ndihmoni fëmijën të ndërtojë sinqeritet dhe përgjegjësi
Kur nipi ose mbesa nuk thonë të vërtetën, është e rëndësishme të mbeteni të qetë dhe me bisedë t’i ndihmoni të kuptojnë pasojat; jo vetëm për të tjerët, por edhe për veten. Në vend të ndëshkimeve të menjëhershme, ekspertët këshillojnë një qasje të strukturuar që ndërton besim dhe zhvillon sistemin e vlerave te fëmija.
Kur fëmija nuk është i sinqertë, është e kuptueshme dhe normale të reagojmë emocionalisht, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një pavërtetësi të planifikuar ose impulsive, të thënë pa shumë mendim. Kjo mund të na tronditë, të na zemërojë ose të na zhgënjejë, por sado të lënduar të ndihemi, fëmijës duhet t’i qasemi qetë dhe me mendim, pa shpërthime emocionale.
Mos thoni në afekt fjali si: “Si munde të mos më thuash të vërtetën? Nuk do të të besoj më kurrë!” Kjo vlen për të gjitha moshat, nga fëmijët e vegjël te adoleshentët. Siç shpjegon për Empowering Parents, psikologu i njohur amerikan Michael Kramer, reagimet e tepruara i mundësojnë fëmijës ta zhvendosë vëmendjen te sjellja juaj, në vend që të marrë përgjegjësi për atë që ka bërë.
“Njësoj si për shpërthimet emocionale, vlen edhe për ndëshkimet. Nuk ndihmon fare nëse vendosni një dënim të tepruar apo të padrejtë, si ndalimi afatgjatë i daljeve ose kthimi i parakohshëm në shtëpinë e prindërve. Një ndëshkim i tillë mund t’ju lehtësojë për momentin, por nuk do t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë diçka nga situata. Ata shpesh vetëm ‘e kryejnë’ dënimin, por shmangin bisedën e sinqertë dhe ky është gabimi më i madh. Pikërisht përmes bisedës duhet të mësojnë dhe të vendosin të ndryshojnë sjelljen”, shpjegon psikologu Kramer, i cili më pas shpjegon hap pas hapi pse biseda është kyçe, transmeton Telegrafi.
Rëndësia e bisedës për sjelljet jo të sinqerta
Biseda për arsyen pse fëmija nuk ka thënë të vërtetën i jep atij mundësinë të mësojë në tre nivele. Së pari, fëmija bëhet i vetëdijshëm për efektin emocional të asaj që ka ndodhur te të tjerët. Pavërtetësitë ndikojnë te njerëzit përreth: te prindërit, gjyshërit, vëllezërit e motrat, shokët, mësuesit, trajnerët. Fëmijët shpesh nuk mendojnë për pasojat derisa dikush t’ua shpjegojë.
Përveç kësaj, biseda e ndihmon të kuptojë se çfarë ndikimi ka sjellja mbi vetë atë, sepse të mos thënit e së vërtetës sjell ndjenja faji, turpi, humbje të vetëvlerësimit dhe kufizim të lirive. Kjo sjellje shpesh çon në kontroll më të madh mbi fëmijën, ndërsa biseda e hapur për pasojat e ndihmon të kuptojë më qartë se si mungesa e sinqeritetit ndikon në personalitetin dhe përditshmërinë e tij.
Së fundi, fëmija përmes bisedës serioze mëson rëndësinë e një sistemi të qëndrueshëm vlerash, i cili nuk ndryshohet “sipas rastit”. Një sistem i qëndrueshëm vlerash është themeli i besimit midis jush dhe fëmijës. Biseda e ndihmon të kuptojë efektet e sjelljes së tij dhe e motivon të jetë më i sinqertë në të ardhmen.
Si të bisedoni me sukses
Mos hyni menjëherë në bisedë, së pari qetësohuni. Pastaj përgatituni duke vendosur një pasojë të përshtatshme; p.sh., heqjen e një privilegji që fëmija e ka vetëm tek ju si gjyshe apo gjysh. Pasojat janë të nevojshme dhe të dobishme, dhe më efektive është humbja e një privilegji për një kohë të caktuar sesa një kërcënim me “ndalim të përjetshëm”.
Për shembull, nëse nipi ose mbesa ju thotë se gjatë pushimeve është shoqëruar me dikë që e ka ftuar në ditëlindje ku do të jetë edhe një i rritur përgjegjës, por ju zbuloni se kanë qenë vetëm, fëmija mund të humbasë të drejtën për të shkuar në festa derisa ju personalisht të verifikoni praninë e një të rrituri. Kjo metodë rezulton shumë efikase. Humbja e privilegjit i jep fëmijës hapësirë për reflektim, p.sh., kur ia ndaloni telefonin deri nesër, ai ose ajo do të ketë kohë të përballet me sjelljen e vet.
Biseda si kusht për kthimin e privilegjit
Fëmijët shpesh nuk duan të flasin për sjelljen e tyre sepse ndihen në siklet. Në këtë rast, shpjegoni se privilegjet nuk do të kthehen deri sa të bëhet një bisedë e sinqertë. Fëmijët e tjerë nxitohen të bisedojnë që ta marrin sa më shpejt atë që u është hequr. Megjithatë, është e rëndësishme që dënimi të zgjasë deri në fund, pa e shkurtuar. Pra, nëse thatë “tre ditë pa telefon”, biseda ditën e dytë nuk e ndryshon këtë afat.
Vendosja e kornizës për bisedë
Tema e pavërtetësisë mund të duket e ndërlikuar dhe fëmijët shpesh nuk dinë nga të fillojnë. Ndihmojini dhe përgatisni pyetje si:
• Çfarë doje të arrije duke thënë diçka që nuk ishte krejt e saktë?
• Nëse bëhet fjalë për shokët, pyeteni si e imagjinon një miqësi të shëndetshme.
• Nëse ka të bëjë me rregullat e shtëpisë, pyesni si erdhi deri te kjo situatë ku nuk tregove të vërtetën e plotë, si mënyrë përballjeje me frustrimin.
• Çfarë mund të bësh ndryshe në vend që të mos e tregosh saktë situatën, nëse rregulli nuk të pëlqen?
• Çfarë do të bësh herën tjetër, në një situatë të ngjashme, që të mos krijohet një pavërtetësi?
• Çfarë do të të bindte në të ardhmen se mund të të besoj sërish dhe se do të ndajmë gjithmonë të vërtetën e plotë?
Shmangni “ligjëratat” dhe pyetjen “pse”
Gjatë bisedës, mos u shndërroni në “predikues”. Qëndroni të qetë dhe bëni pyetje të hapura që nuk nxisin mbrojtje. “Pse nuk e the të vërtetën?” shpesh çon në konflikt ose justifikim. Fëmija zakonisht do të shpikë arsye, në vend që të marrë përgjegjësi.
Si ta dini se fëmija ka mësuar diçka?
Ju i njihni më së miri nipërit dhe mbesat kur janë të sinqertë dhe kur thonë atë që mendojnë se ju dëshironi të dëgjoni. Shenja se fëmija po mëson nga gabimet janë sinqeriteti dhe hapja, si dhe shprehja e emocioneve si trishtimi, turpi ose faji.
Disa fëmijë nuk thonë të vërtetën shpesh, por kapen rrallë. Prandaj çdo rast i zbuluar është një mundësi për një bisedë të strukturuar që do t’i ndihmojë të kuptojnë pasojat e sjelljes së tyre. Kjo bisedë mund të mos jetë e këndshme, por sjell përfitime të mëdha në plan afatgjatë: një fëmijë që respekton veten, prindërit, ju dhe të tjerët. Një fëmijë të cilit mund t’i besoni. /e.t

