Blloku sovjetik mori fund kur ra Muri i Berlinit. Aleanca perëndimore, në mënyrë më pak teatrale, kur panorama njerëzore në shkëlqimin nervoz të Davosit filloi të ndryshonte.
Volodymyr Zelensky dyshon nëse duhet të shkojë, sepse sheh aty një tallje ndaj vetes dhe ndaj vendit të tij, që prej katër vitesh i reziston një agresioni të egër.
Ndërkohë, pas katër vitesh, agresori është rikthyer të shfaqet: Rusia. Kirill Dmitriev, produkt i Harvardit, Goldman Sachs dhe McKinsey-t, por sot negociator në emër të Vladimir Putinit, u paraqit dje në mëngjes mes borës zvicerane duke tallur “kolapsin e globalizmit”.
Sigurisht Davosi i sotëm, i dominuar nga personaliteti i tepruar i Donald Trump, e bën atë të ndihet më rehat se sa lideri ukrainas.
Problemi lindi kur Volodymyr Zelensky kërkoi Donald Trump-in në telefon para se të shkonte në Forumin Ekonomik Botëror. Ai donte të kuptonte nëse në vend do të mund të fliste me të për temat që kanë rëndësi, ato të negociatave të paqes në zhvillim: garanci sigurie për Ukrainën dhe angazhim amerikan prej 800 miliardë dollarësh për rindërtimin, në këmbim të dorëzimit të Donbasit që Putin kërkon.
Kievi është në errësirë, në të ftohtë dhe pa ujë në këtë dimër në temperaturat nën zero, pas shkatërrimit metodik të centraleve elektrike nga rusët.
Në vend të kësaj, presidenti i Shteteve të Bashkuara u kufizua ta ftojë Zelenskyn të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Board of Peace” (Bordi i Paqes) që, nga Gaza, Shtëpia e Bardhë dëshiron ta shndërrojë gjithnjë e më shumë në një lloj zëvendësuesi të Kombeve të Bashkuara. Por me një dallim, që si “president inaugurues” i këtij “Bordi të Paqes”, sipas kartës së organizmit që po qarkullon, Trump do të kishte fuqinë të ftojë ose të përjashtojë kë të dojë, të caktojë pasardhësin e tij dhe të mbetet gjithsesi përfaqësues i Shteteve të Bashkuara edhe pasi mandati i tij në Shtëpinë e Bardhë të ketë përfunduar.
Në thelb, Trump e sheh veten si një lloj perandori të përjetshëm të “Bordit të Paqes” që do të trajtonte një numër gjithnjë e më të madh çështjesh. Ai ka ftuar Vladimir Putinin dhe diktatorin bjellorus Alexander Lukashenko të bëhen pjesë dhe tani donte edhe Zelenskyn.
Sipas tij, lideri ukrainas duhet të braktisë kryeqytetin e tij të martirizuar dhe të vijë mes të pasurve dhe të famshmëve të Davosit për këtë: të pranojë të ulet në një tryezë dhe të flasë për gjëra të tjera me Putinin dhe Lukashenkon, dy njerëzit që po punojnë për fundin e tij fizik dhe përfundimin e Ukrainës si komb i pavarur.
Zelensky ndali gjithçka. Ideja e tij ishte të diskutonte me të tijtë dhe të vendoste gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës nëse do të anulonte apo konfirmonte praninë e tij në Davos, tashmë zyrtarisht të shpallur ditë më parë. Edhe liderët e Francës dhe Gjermanisë, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, e refuzuan ftesën për të hyrë në “Bordin e Paqes” dhe po ashtu bëri britaniku Keir Starmer.
Mbërritja e Giorgia Melonit, teorikisht e parashikuar për sot, mbetet për t’u konfirmuar me të gjitha domethëniet politike që do të kishte, si një aderim ashtu edhe një refuzim ndaj organizmit të ri të shpikur nga Trump.
Sigurisht ka diçka që nuk mund ta qetësojë Zelenskyn mbi garancitë e sigurisë dhe premtimet e investimeve që Trump i ofron për ta bërë të dorëzojë territoret e kërkuara nga Putin. Ajo diçka është spektakli që dje në Davos ishte para syve të të gjithëve: guximi me të cilin Trump po kthehet kundër vendeve europiane, fajtorë për t’iu kundërvënë pretendimeve amerikane mbi territorin e njërit prej tyre. Nëse kjo është besueshmëria e Shtëpisë së Bardhë me aleatët e përhershëm, bëhet gjithnjë e më e vështirë për ukrainasit të besojnë premtimet e liderit amerikan.
Sepse Trump, që sot do të flasë në Forum, duket se ndjek me ethe një objektiv: të shkatërrojë aleancën e krijuar 80 vite më parë me Shtetet e Bashkuara në krye për t’u ngritur si lider suprem i një pushteti të ri që gjithsesi po kriset dukshëm.
Kanadaja e Mark Carney-t tashmë është hapur ndaj Pekinit dhe kjo shqetëson elitat amerikane sepse tani do të pranojë makina kineze, ndonëse industria e saj e makinave ka një lidhje siameze me atë të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë një sondazh i RealClearPolitics i ditëve të fundit tregon se mes votuesve, popullariteti i Trump-it (tashmë i ulët) ka humbur edhe dy pikë që kur është përshpejtuar fushata mbi Groenlandën (tani 55% e refuzojnë veprimet e tij).
Por kriset edhe për Shtëpinë e Bardhë besimi mes investitorëve. Shifrat mbi rritjen që vetë biznesmeni apo sekretari i tij i Thesarit dje në Davos vazhdonin t’i përsërisnin si një lutje, në këtë rast, nuk ndryshojnë asgjë.
Sepse kërcënimet e reja për taksa doganore kanë rikthyer një fantazmë që tashmë kishte frikësuar Shtëpinë e Bardhë që në prillin e kaluar: rënien e papritur dhe të njëkohshme të dollarit ndaj të gjitha valutave kryesore dhe të bonove të shtetit amerikan.
Është fundi i borxhit amerikan si port i sigurt dhe strehë e fundit në kriza, një humbje potencialisht dramatike e statusit. Kishte ndodhur, në histori, vetëm pas “Ditës së Çlirimit” mbi taksat doganore dhe e kishte detyruar Trump të bënte një tërheqje të pjesshme.
Tani rënia e dyfishtë e dollarit dhe e bonove të shtetit amerikan po përsëritet dhe hedh një dritë tjetër edhe mbi liderët europianë që tregojnë dinjitet dhe vendosmëri, si Ursula von der Leyen dhe Macron dje në Davos: ata nuk erdhën në malet zvicerane për t’u tallur dhe fyer.
Nesër do të jetë radha e Merz-it dhe nuk dihet nëse do të gjejë një moment për të folur me Trump-in. Më 6 shkurt BE-ja pritet të aplikojë masa hakmarrëse me mbi 93 miliardë dollarë tarifa ndaj produkteve amerikane, nëse asgjë nuk ndryshon.
Sigurisht qeveritë e saj mbeten të ndara: Gjermania dhe Italia më të kujdesshme ndaj Trump-it, Franca, Belgjika dhe Spanja më të vendosura. Por mbi një pikë janë (pothuajse) të gjithë dakord: të lejosh të shantazhohesh pa reaguar nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të dëmtojë edhe më shumë atë që ka mbetur nga aleanca.
