Ukraina ka realizuar një operacion të përgatitur për disa javë, me shtatë faza dhe përfshirjen e qindra dronëve e raketave me rreze të gjatë veprimi, që çoi në shembjen e një pjese të rëndësishme të Urës së Kerçit, e cila lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë së pushtuar.
Sulmi, i përfunduar në orët e para të 17 nëntorit, shkaktoi dëme të konsiderueshme në infrastrukturën që presidenti rus Vladimir Putin e kishte inauguruar personalisht në vitin 2018. Përveç rëndësisë simbolike, dëmtimi i urës pritet të krijojë vështirësi për furnizimin e trupave ruse në jug të Ukrainës.
Sipas një raportimi të gjerë të gazetave britanike BBC dhe The Guardian, operacioni ishte rezultat i një plani të organizuar në disa faza, që përfshinte dobësimin e mbrojtjes ajrore ruse, goditjen e sistemeve të radarëve dhe përdorimin e një rrjeti të ri komunikimi për koordinimin e sulmeve.
Ekspertët e cituar nga mediat britanike vlerësojnë se dëmet janë aq të mëdha sa rikthimi i plotë i trafikut rrugor mund të kërkojë më shumë se një vit.
Shtatë fazat e operacionit ukrainas
Sipas rindërtimit të BBC dhe The Guardian, operacioni nisi disa javë përpara goditjes përfundimtare. Ukraina fillimisht u përqendrua në dobësimin e mbrojtjes ruse dhe më pas realizoi sulme të koordinuara me dronë dhe raketa.
– Faza e parë – Goditja e mbrojtjes ajrore: Për disa javë, forcat ukrainase ndërmorën sulme të synuara ndaj sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore në Krime, me synimin për të kufizuar aftësinë e Moskës për të interceptuar armët ukrainase.
– Faza e dytë – Shkatërrimi i radarëve: Paralelisht, u goditën radarët dhe pajisjet që shërbenin për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve dhe raketave armike.
– Faza e tretë – Goditja e parë ndaj urës: Më 16 nëntor, dronët ukrainas goditën Urën e Kerçit, duke shkaktuar dëme të dukshme në harkun e madh të pjesës rrugore. Megjithatë, struktura nuk u shemb menjëherë dhe qarkullimi u rikthye përkohësisht.
– Faza e katërt – Vala e parë e dronëve: Të hënën në mbrëmje, qindra dronë ukrainas u drejtuan nga zona të ndryshme drejt Krimesë. Sipas The Guardian, objektivi ishte të shpërqendrohej mbrojtja ajrore ruse dhe të vështirësohej reagimi i saj ndaj sulmeve të tjera.
– Faza e pestë – Sistemi i ri i komunikimit: Një valë e dytë dronësh u përdor për transmetimin e imazheve dhe sinjaleve radiofonike në kohë reale. Ky zhvillim lidhet edhe me kufizimet e vendosura në sistemin Starshield, versionin ushtarak të Starlink të kompanisë SpaceX.
Sipas palës ukrainase, rreth dhjetë ditë përpara operacionit ishin vendosur kufizime që pengonin dronët të arrinin shpejtësi më të mëdha se 161 kilometra në orë. Kompania SpaceX e ka kundërshtuar pretendimin se kishte ngadalësuar sistemin, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka cilësuar këtë version si të pavërtetë.
Sipas raportimit të The Guardian, Ukraina duket se ka krijuar një rrjet alternativ komunikimi, duke përdorur dronët si pika ndërmjetëse për transmetimin e sinjaleve dhe pamjeve mes operatorëve dhe mjeteve që drejtoheshin drejt urës.
– Faza e gjashtë – Raketat Flamingo: Në vijim u përdorën raketat ukrainase Flamingo, të cilat mund të mbajnë deri në 1.000 kilogramë eksploziv. Numri i saktë i raketave të lëshuara nuk është konfirmuar, megjithëse disa raportime flasin për të paktën katër të tilla.
– Faza e shtatë – Shembja e urës: Në orët e para të 17 nëntorit, sulmet shkaktuan shembjen e harkut të madh të seksionit rrugor, me gjatësi rreth 227 metra dhe peshë prej mijëra tonësh. Rreth 200 metra sipërfaqe rruge përfunduan në ujërat e ngushticës së Kerçit, ndërsa ka dyshime edhe për dëmtime në strukturën hekurudhore pranë saj.
Pas sulmit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se ura do të rindërtohet dhe do të jetë “edhe më e mirë se më parë”.
Përtej dëmeve materiale, sulmi mund të ketë pasoja të rëndësishme për logjistikën ushtarake të Rusisë. Krimea është shndërruar nga Moska në një bazë të rëndësishme ushtarake, ku ndodhen aeroporte, depo municionesh, poligone stërvitore dhe njësi të shumta ushtarake.
Nga gadishulli kryhen gjithashtu sulme me dronë dhe raketa kundër qyteteve ukrainase, ndërsa përmes Urës së Kerçit transportoheshin rregullisht pajisje ushtarake, karburant dhe municione.
Sipas analizës së BBC-së, dëmtimi i rëndë i urës rrit rrezikun e problemeve serioze në transportin dhe furnizimin e Krimesë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gadishulli është plotësisht i izoluar.
Rusia disponon edhe një korridor alternativ tokësor përmes territoreve të pushtuara të Zaporizhias dhe Khersonit. Por edhe këto linja furnizimi janë objektiv i sulmeve të vazhdueshme ukrainase, veçanërisht rrugët, urat dhe lidhjet hekurudhore në veri të Krimesë, në zonën e Dzhongarit.
Një tjetër problem mund të krijohet në transportin detar. Lidhjet përmes Ngushticës së Kerçit kanë kapacitete të kufizuara, ndërsa anijet janë të ekspozuara ndaj sulmeve me dronë detarë dhe ajrorë ukrainas.
Sipas mediave britanike, mbetjet e strukturës së shembur mund të ndikojnë gjithashtu në lundrimin në ngushticën që lidh Detin e Zi me Detin Azov, duke krijuar vështirësi shtesë për portet e pushtuara të Mariupolit dhe Berdyanskut./ad
