Kombëtarja shqiptare po kalon një fazë të rëndësishme, me dy ndeshje miqësore të planifikuara përballë Izraelit dhe Luksemburgut, më 3 dhe 6 qershor.
Ndërkohë, situata në stolin teknik mbetet e pazgjidhur, pasi kontrata e trajnerit Silvinjo është duke skaduar dhe ende nuk ka njoftim për vazhdimin e bashkëpunimit.
Pavarësisht kësaj pasigurie, tekniku brazilian po fokusohet në identifikimin e profileve të reja për të forcuar skuadrën. Në këtë kuadër, vëmendja e tij ka rënë mbi portieri 23-vjeçar Klidman Lilo, i cili aktivizohet me OFI Kretën në Superligën greke.
Lilo ka pasur një sezon të mirë, duke marrë pjesë në 14 ndeshje në të gjitha kompeticionet, si dhe duke luajtur 32 minuta në finalen e Kupës së Greqisë, që e fitoi klubi i tij. Portieri ka eksperiencë me ekipet e moshave të Shqipërisë, me 9 paraqitje me të rinjtë nën 21 vjeç, dhe një thirrje në kombëtaren U-20.
Silvinjo po mendon seriozisht t’i dërgojë ftesë për grumbullimet e qershorit, gjë që do të ishte thirrja e tij e parë në ekipin A. Gjithçka pritet të qartësohet në javët në vijim, kur edhe e ardhmja e trajnerit të zbulohet./mxh
