Last Updated on 09/10/2026 by Monika
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka zbuluar për herë të parë prapaskenat e largimit të tij nga stoli kuqezi.
Tekniku brazilian sqaroi se vendimi për ndarjen erdhi pas një konsulte me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Sipas tij, të dyja palët e kishin kuptuar se cikli i përbashkët kishte ardhur natyrshëm në fundin e vet.
“Kisha folur me presidentin përpara muajit maj. Të dy mendonim se kishte ardhur fundi i një cikli. Federata ishte rritur shumë dhe ne gjithashtu. Erdhi një moment kur palët e dinin që nuk kishin asgjë për t’i dhënë njëri-tjetrit. Duka është inteligjent. Ishte një marrëveshje e mirë mes palëve. E dinte sa të përkushtuar ishim në këtë aventurë”, deklaroi Silvinjo.
Ai vlerësoi punën e shkëlqyer të bërë gjatë periudhës ku kuqezinjtë u kualifikuan në Kampionatin Evropian. Ndër të tjera, braziliani kujtoi edhe përballjet në grupin e hekurt të Evropianit si dhe ecurinë në kualifikueset e Botërorit.
“Bëmë të gjithë një punë të shkëlqyer. Arritëm suksese të mëdha duke u kualifikuar për herë të dytë në histori në Europian. Për fatin tonë të keq apo të mirë kishim një grup të hekurt me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. E shijuam atë moment. Në edicionin e ardhshëm të Botërorit u renditëm pas Anglisë. Luajtëm në Play Off, por nuk ia dolëm dot në Poloni”, u shpreh braziliani.
Silvinjo theksoi se marrëdhënia e tij me qytetarët e Tiranës e bëri të ndihej si në shtëpi gjatë qëndrimit në Shqipëri. Në fund, Silvinjo pohoi se lidhja e tij me futbollin shqiptar do të mbetet e përjetshme pavarësisht përfundimit të kësaj aventure./mxh
